Cunami shkatërron 200 shtëpi në Solomone
Rrëshqitjet e dheut dhe cunami, të nxitura nga një tërmet i fuqishëm, kanë shkatërruar mbi 200 shtëpi në ishujt Solomone, duke e lënë gati një të tretën e banorëve të këtij vendi pa kulm mbi kokë, kanë njoftuar sot zyrtarët për menaxhimin e krizave.
Megjithatë, autoritetet nuk raportuan për të lënduar, 30 orë pasi që një seri e tërmeteve nxiti një cunami, me valët të cilat arritën lartësinë prej tri metrash, të cilat më pas goditën brigjet.
Por mbi 1 mijë persona mbetën pa kulm mbi kokë, pasi që rreth 200 shtëpi u shkatërruan në Rendova, një ishull rreth 300 km larg kryeqytetit Honiara. Vetëm 3600 persona jetojnë në Rendova.
Duket se përvoja e banorëve, të cilën ata e kanë nga katastrofat në të kaluarën, ka ndihmuar që të shmangën këtë herë viktimat, deklaruan zyrtarët dhe banorët lokalë.
Në prill të vitit 2007, një tërmet prej 8.1 shkallë të Rihterit nxiti një cunami, me ç’rast humbën jetën së paku 50 persona. Përkujtues tjetër ishte edhe cunami në shtator të vitit të kaluar, si pasojë e të cilit humbën jetën së paku 200 persona në ishujt fqinjë Samoa dhe Tonga.