Kundër transferimit

Qarkullimi i një informate në Kosovë shumë herë mund të jetë i vërtet e shumë herë del krejtësisht i gabuar. Për një kohë të gjatë tashmë po qarkullohen informata apo dezinformata se skulptura tipografike “NEWBORN” do të transferohet nga vendqëndrimi i saj dy vjeçar në objektin e ri qeveritar pranë Rilindjes. Fisnik Ismaili, drejtues i kompanisë Ogilvy për Kosovë dhe kreator i “NEWBORN”, thotë se nuk është në dijeni për planet që mund t’i ketë bërë dikush për vendin e përhershëm të NEWBORN.
“Nuk më duket e udhës as ta diskutojë dikush të ardhmen e këtij monumenti pa u konsultuar me kompaninë që e ka krijuar atë, prandaj shpresoj se askush nuk ka bërë plane për lëvizjen e NEWBORN në lokacion tjetër”, tha Ismaili. Ai shton se edhe vet arkitektura e krijuar para objektit qeveritar Rilindja nuk është aspak adekuate për vendosjen e monumentit në të. “Madje, kam pyetur disa zyrtarë për këtë gjë, meqë edhe unë e kisha dëgjuar për këtë propozim më herët, por asnjëri nuk ishte në dijeni për këtë propozim”, tha Ismaili. Nëse veçse diskutohet për çfarëdo vendimi që mund të merret për të ardhmen e NEWBORN, atëherë, sipas Ismailit, duhet të konsiderohen shumë çështje lidhur me këtë monument.
“Si qëllimi i tij, përdorimi, simbolika, mirëmbajtja, domethënia, pamja si dhe rëndësia që e ka si monument, atraksion turistik dhe vepër arti. Për këtë arsye, për çdo vendim lidhur me NEWBORN duhet përfshirë ata që e kanë krijuar atë, meqë ata i dinë këto vlera më së miri”, shprehet ai. Ismaili shton se tashmë një kohë iu është dërguar propozimi në drejtim të Komunës së Prishtinës dhe Zyrës së Kryeministrit se ku duhet të qëndrojë NEWBORN por, sipas tij, ky propozim nuk u konsiderua nga asnjëra nga këto dy institucione.
“Pasi që tashmë po bëhen dy vjet që NEWBORN është i vendosur aty, në njëfarë mënyre ia ka krijuar vetes vendin para Pallatit të Rinisë, duke e marrë parasysh se vetë natyra e skulpturës është urbane, që domethënë se duhet të mbetet në një hapësirë ku ka qarkullim të madh të njerëzve, meqë me faktin se njerëzit shkruajnë në të, ka krijuar një ndërlidhje (interaksion) në mes të qytetarëve dhe monumentit”, u shpreh ai. Pamja më e mirë sipas Ismailit është kur NEWBORN është pranë njerëzve, posaçërisht fëmijëve, në mënyrë që të jetë sa më interaktive.
”Projekt propozimi jonë insiston që NEWBORN të mbetet aty ku është, i ngritur afro 40 cm në një bazament të thjeshtë betoni (që t’ia ruajë frymën urbane) me 1.5 metra hapësirë përreth që të zë mjaft njerëz, i ndriçuar mirë dhe i mirëmbajtur nga mjetet e përfituara prej suvenireve që do të shiteshin në një kiosk ekskluziv aty pranë”, thotë ai.
A do të konservohet NEWBORN?
“Si i tillë, NEWBORN duhet të mbetet vendi ku secili prej nesh mund të shkojë dhe të shprehet në të në formë të shkruar, në çdo kohë. Kjo e bën të pamundur ruajtjen e nënshkrimeve, sikur prej atyre që do të shkruajnë sipër, ashtu edhe prej elementeve atmosferike që i fshijnë ato shkrime. Prandaj, mënyra më adekuate e mirëmbajtjes së këtij monumenti (meqë është i krijuar prej metali dhe ndryshket), është që të krijohet një traditë ku çdo vit ky do të ngjyrosej ndryshe (në të njëjtën kohë edhe të riparohej nga dëmtimet), dhe të zbulohej si pamje e re e NEWBORN çdo 17 shkurt të çdo viti”, tha Ismaili.
Shpërblimet e NEWBORN
Monumenti NEWBORN është shpërblyer me 6 çmime të mëdha ndërkombëtare, përfshi edhe Luanin e Artë në Cannes, Francë, që njihet si çmimi më i lartë në botë në fushën e reklamimit, ku shpërblehen vetëm afro 300 punime nga afro 40,000 që marrin pjesë në garë. Çmimet tjera përbëhen nga Clio dhe Eurobest të argjendtë, në Miami, SHBA dhe Stockholm, Suedi, respektivisht, Golden Drum Grand Prix në Portorozh, Slloveni (festivali më i madh i reklamimit në Evropën Lindore), One Show Merit në New York, SHBA dhe David Award të bronztë në Varshavë, Poloni (gara për punimin më të mirë të kompanisë Ogilvy në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku votojnë vetë punëtorët e këtyre kompanive). Po ashtu, NEWBORN ishte futur edhe në listën e ngushtë në London International Awards.