Cungu: Banorët të mos kthehen në banesa

Reshjet e shumta të shiut rënë gjatë 24 orëve të fundit kanë rënduar sërish situatën në disa zona të qarkut Shkodër. Lumenjtë dhe përrenjtë në zonat malore kanë shtuar prurjet, duke bërë të rriten shkarkimet, e për pasojë situata të jetë më e precipituar. Në mbrëmje, në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës, morën pjesë zv.kryeministri Ilir Meta dhe ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Ata kërkuan që shtabi të ishte vigjilent, për të mos lejuar që njerëzit të kthehen nëpër banesat e tyre, pasi prurjet rrezikojnë të rrisin sasinë e ujit. Për situatën në Shkodër dhe në zonën e Nënshkodrës për gazetën “Standard” ka folur prefekti i Shkodrës, Maxhit Cungu.
Si paraqitet situata në Shkodër pas reshjeve të natës?
Situata në 24 orët e fundit në qytetin verior është vështirësuar për shkak të reshjeve. Kanë rënë rreth 54 mm shi dhe ka pasur shkrirje të bores. Kjo situatë ka bërë që të rritet niveli i ujërave në lumenj dhe për rrjedhojë edhe shkarkimet.
Janë rritur shkarkimet nga hidrocentralet?
Reshjet kanë rritur prurjet në lumenjtë e Bunës, Gjadrit dhe Kirit. Shkarkimet nga Vau i Dejës janë 930 metër kub për sekondë. Si pasojë është vërejtur një rritje e sipërfaqes së përmbytur në zonën e Nënshkodrës, me rreth 1 mijë hektarë.
Në cilën zonë situata është më e rënduar?
Situata më e rënduar paraqitet në komunën Dajç, veçanërisht tek argjinatura.
Çfarë ju shqetëson më tepër në këto momente?
Asnjë prej të evokuarve nuk duhet të kthehet momentalisht. Ata duhet të qëndrojnë atje ku janë vendosur deri në një vendim të ri.
Sa është aktualisht sipërfaqja e mbuluar me ujë?
Në total sipërfaqja e mbuluar me ujë në zonat e Shkodrës është rreth 7 200 ha tokë. Në këto zona uji po mban të pushtuar prej më shumë se 2 javësh sipërfaqet e tokave dhe banesat. Në qytet, uji prej pak ditësh është tërhequr gati plotësisht, përveç lagjes së Livadheve ku ka ende prezencë të ujërave.
Po në Bunë a ka pasur rritje të nivelit të ujit?
Reshje të dendura janë regjistruar në komunat e Nënshkodrës dhe kjo ka bërë që të ndihet menjëherë në shtratin e lumit Buna, që ka ndikuar në rritjen e nivelit të ujit edhe në disa prej fshatrave të kësaj komune.