E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Dik Marti ka kaluar çdo limit

Në një intervistë për BBC-në, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ndërsa ka vlerësuar edhe një herë ecurinë më se normale të ditëve pas liberalizimit të vizave për shqiptarët, duke vënë theksin në faktin që ky liberalizim është një meritë e fituar falë reformave të qeverisë, u është rikthyer edhe një herë akuzave të Dik Martit mbi Shqipërinë dhe Kosovën. “Raporti në vlerësimin tim është politikisht i motivuar dhe sigurisht i ka bërë një dëm shumë të madh kredibilitetit të vetë personit që e ka hartuar”, - ka thënë Haxhinasto. “Ndiej keqardhje që personi ka gjetur një platformë shumë prestigjioze, siç është ajo Këshillit të Evropës, për të bërë një paraqitje të tillë. Unë jam i gjykimit dhe i vlerësimit që kjo papërgjegjshmëri nuk mund të lihet pa u vënë re. Në gjykimin tim, ai ka kaluar çdo limit të etikës dhe të normalitetit për një parlamentar, qoftë ai edhe evropian”, - ka shtuar më tej ministri.

Zoti ministër, një vlerësim tuajin për heqjen e vizave për shqiptarët...

Është një ngjarje historike për shqiptarët, pasi ka qenë populli më i izoluar i rajonit dhe tashmë ka një mundësi të madhe për të lëvizur në mënyrë dinjitoze në hapësirën Shengen. Mendoj se ka prekur një copë Evrope dhe do të dijë ta administrojë me dinjitet këtë zhvillim që, siç e thashë, është historik.

Ka pasur ndonjë bilanc për këto dy-tri ditët e para? Cili është ai? A ka pasur ndonjë problem?

Deri më tani gjithçka ka shkuar normalisht, ka pasur disa kthime të vogla në kufi për arsye se njerëzit kanë pasur nevojë të kenë me vete edhe siguracionin përkatës shëndetësor, gjë që, si duket, personat që kanë udhëtuar, kanë harruar ta marrin me vete ose nuk e kanë ditur se duhet ta marrin.

A flet kjo se autoritetet shqiptare, autoritetet kompetente, është dashur ta shikonin edhe këtë zoti ministër?

Kjo ka qenë e parashikuar dhe ka qenë pjesë e paketës informative që i është dhënë në mënyrë shumë intensive publikut shqiptar, por mendoj që si përqindje në krahasim me lëvizjen që është realizuar është një përqindje shumë e vogël.

Karshi vlerësimeve që i betë ju, por edhe autoritetet e tjera zyrtare, zoti Haxhinasto, flisni pak me shumë për efektet konkrete të këtij hapi.

Mendoj se efektet janë shumëplanëshe, janë shumë të rëndësishme, duke filluar nga ai fakt që është një mur psikologjik që rrëzohet tashmë, shqiptarët e izoluar të para dy dekadave tani kanë mundësi të lëvizin të lirë në hapësirën Shengen, është një mundësi gjithashtu për të njohur më mirë Evropën, këtë komunitet vendesh, kulturash, pjesë e të cilit do të bëhet edhe Shqipëria në të ardhmen e afërt. Është një mundësi për zhvillimin e biznesit, që investitorët shqiptarë të shkojnë në hapësirën evropiane të shikojnë mundësitë dhe të intensifikojnë marrëdhëniet e tyre. Është gjithashtu një mundësi për studentët të shikojnë mundësi të reja për arsimin e tyre në shkollat më të mira evropiane, por sigurisht për të studiuar atje, më pas për të qëndruar në vendet ku ata do të shkojnë, do t’u duhet të respektojnë një procedurë tjetër të marrjes së lejes së qëndrimit, që është procedura për viza studimi, pra në shumë plane ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët, është një mundësi e madhe dhe mendoj se është një hap shumë i rëndësishëm në procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Mazhoranca në Tiranë heqjen e vizave e quan si një arritje historike, ndërkohë opozita pretendon se kjo nuk është arritje e qeverisë, si i përgjigjeni opozitës?

Ky zhvillim është një ngjarje historike për shqiptarët dhe nuk ka qenë aspak një dhuratë, ka qenë një arritje, dhe si për çdo arritje ka nevojë për kontribute, në rastin konkret ka pasur nevojë për të arritur disa rezultate shumë të qarta, duke filluar me pajisjen me pasaporta biometrike, po kështu me kontrollin e integruar të kufijve, me rezultate të prekshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Të gjitha këto arritje janë monitoruar në mënyrë shumë të kujdesshme nga ana e Komisionit Evropian dhe në përfundim të këtij vlerësimi është marrë vendimi që Shqipëria i ka arritur të gjitha këto standarde, për të marrë këtë regjim të ri lëvizjeje me Bashkimin Evropian. Pra, ka qenë e domosdoshme një performancë shumë e qartë, shumë konkrete dhe kjo është arritur. I ka takuar kësaj qeverie ta realizojë këtë, kjo është një gjë shumë e mirë, kjo duhet të gëzojë çdo individ dhe çdo forcë politike. Por më shumë se të merret më konkretisht me këtë çështje mendoj se opozita duhet të shikojë mundësinë që edhe në vijimësi, të kontribuojë për integrimin e shqiptarëve sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe mos të bëhet një faktor destruktiv dhe bllokues.

Jeni një njohës i mirë i zhvillimeve të dy-tre dhjetëvjeçarëve të fundit në Ballkan, zoti ministër. Cila është perspektiva e marrëdhënieve të shqiptarëve dhe serbëve, gjithnjë duke marrë parasysh çështjen e Kosovës, sidomos duke marrë parasysh që Prishtina dhe Beogradi zyrtar kanë qëndrime katërcipërisht të kundërta?

Unë mendoj se marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë trajtuar në vazhdimësi nga politika e jashtme e Shqipërisë si të rëndësishme edhe për vetë konveksin rajonal, si një marrëdhënie që ka rrezatimin e saj në krijimin e klimës së përgjithshme të rajonit, n.q.s. doni edhe për mënyrën dhe klimën se si trajtohet çështja e Kosovës. Një zgjedhje e tillë është bërë, është e vërtetë ka thuajse një dekadë që është bërë dhe politika e jashtme e Shqipërisë e ka adoptuar këtë përzgjedhje duke pasur një efekt shumë pozitiv pikërisht pra në klimën që ekziston sot në Ballkan. Mendoj se Kosova është një çështje ku ne i ndryshojmë qëndrimet, por gjithashtu jemi përpjekur që edhe partnerëve serbë t’ua bëjmë të qartë se procesi i pavarësimit është i pakthyeshëm dhe njohja e realiteteve në Kosovë nga ana e tyre është një kontribut që ata i bëjnë vetë Serbisë, pasi ajo aktualisht ka angazhuar fuqi të mëdha diplomatike për ta bllokuar procesin e pavarësimit, resurse të cilat mund të përdoreshin në mënyrë shumë efektive për të përshpejtuar integrimin e vetë Serbisë, qoftë në strukturat e sigurisë, qoftë në BE. Pra, kemi rënë dakord të mos biem dakord për çështjen e Kosovës, por kjo nuk na pengon të zhvillojmë marrëdhënie dypalëshe mjaft të mira, unë kam kënaqësinë t’ju informoj që në fillim të vitit të ardhshëm Presidenti Tadiç do të vizitojë Tiranën dhe sigurisht që kjo frymë e re marrëdhëniesh do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke kontribuuar drejtpërdrejt në krijimin e besimit dhe në përshpejtimin e proceseve të integrimit të rajonit mes vetes dhe të rajonit me Bashkimin Evropian.

Ky është parashikimi i shefit të diplomacisë shqiptare për sa i përket fatit të bisedimeve të paralajmëruara, pra sikundër thuhet për çështje teknike mes palës kosovare dhe asaj serbe, do të mund të përhshihet këtu edhe ajo që emërtohet si ndarje e Kosovës?

Mendoj që është një tezë jashtëzakonisht shumë arkaike, çështja e ndarjes apo e shikimit të territoreve, është një tezë e cila është krejtësisht në kundërshtim me frymën e përgjithshme që dominion rajonin, me frymën e integrimit të tij në Bashkimin Evropian, është një tezë krejtësisht në kundërshtim me filozofinë evropiane, ku territoret etnikisht të pastra nuk funksionojnë dhe kanë qenë një dështim i atyre që janë përpjekur t’i krijojnë. Pra, ajo që është e rëndësishme, është që këto negociata ose këto bisedime do të kenë sukses për sa kohë ato do të fokusohen në çështje vërtet teknike, çështje që janë në interesin e të dyja palëve dhe që ndikojnë në përmirësimin e jetës së të dy palëve, në qoftë se do të ketë përpjekje gjatë negociatave apo nëpërmjet negociatave të trajtohen çështje tashmë të mbyllura, siç është çështja e statusit të Kosovës, mendoj se do të jetë një gabim shumë i madh dhe do të jetë një zgjedhje joproduktive, për të arritur atë që thashë, zgjidhje konkrete që sjellin përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dyja anët e kufirit.

Pyetje nga një student: Një gazetë prestigjioze, “The Guardian”, boton një raport ku akuzohet Kryeministri i Kosovës për luftën në UÇK. Cili është qëndrimi juaj për këtë artikull? Dhe, a ka gjasë që Shqipëria të implikohet indirekt në këtë çështje?

Mendoj se publikimi i këtij raporti përbën një rast kur raporti ndërtohet pa të dhëna faktike. Raporti në vlerësimin tim është politikisht i motivuar dhe sigurisht i ka bërë një dëm shumë të madh kredibilitetit të vetë personit që e ka hartuar. Ndiej keqardhje që personi ka gjetur një platformë shumë prestigjioze, siç është ajo e Këshillit të Evropës, për të bërë një paraqitje të tillë. Unë jam i gjykimit dhe i vlerësimit që kjo papërgjegjshmëri nuk mund të lihet pa u vënë re. Në gjykimin tim, ai ka kaluar çdo limit të etikës dhe të normalitetit për një parlamentar, qoftë ai edhe evropian.

SHBA: Marty, nëse ka prova, t’i sjellë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, që nëse posedon dëshmi për kryerje të krimeve ndaj civilëve serbë gjatë luftës në Kosovë, siç pretendon në raportin e tij, t’i dorëzojë ato për hetime të mëtejme.

“Ne e kemi bërë të qartë se nëse ka dëshmi të besueshme, siç ka thënë edhe EULEX-i dhe të tjerët, z. Marty duhet t’ia paraqesë ato autoriteteve respektive për hetime të mëtejme dhe unë kam qenë shumë i kënaqur kur e kam dëgjuar kryeministrin duke thënë se qeveria e tij dhe populli i Kosovës do të bashkëpunonin në ato hetime”, - deklaroi zëvendësambasadori amerikan në Prishtinë, Micheal Murphy.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë lëkundur nga mbështetja e tyre për Kosovën dhe marrëdhëniet me qeverinë e Prishtinës, pavarësisht nga raporti i z. Marty që e akuzon Kryeministrin Hashim Thaçi si udhëheqës të një rrjeti të krimit të organizuar, që ka bërë mes të tjerash edhe trafikimin e organeve të të burgosurve serbë gjatë luftës në Kosovë.

“Mendoj se Departamenti i Shtetit në Uashington e ka bërë shumë të qartë se kjo nuk do të ketë ndikim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. SHBA-të janë partner i fuqishëm i Kosovës”, - tha zëvendësambasadori Murphy. Raporti i z. Marty ka nxitur reagime të ashpra në qarqet vendore dhe ndërkombëtare. Kryeministri Hashim Thaçi, i apostrofuar në këtë raport, ka hedhur poshtë akuzat dhe ka paralajmëruar ngritjen e padisë ndaj raportuesit të Këshillit të Evropës, për siç ka thënë, shpifje ndaj tij. Zoti Thaçi ka thënë se akuzat për trafikim organesh në kufirin Kosovë-Shqipëri janë hetuar tri herë dhe nuk janë gjetur prova të jenë bërë krime për të cilat pretendon z. Marty në raportin e tij. Misioni evropian ndërkaq i ka kërkuar europarlamentarit zviceran që nëse ka dëshmi për ato që shkruan në raport, t’ua dorëzojë ato prokurorëve të EULEX-it për hetime të mëtejme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›