E Diel, 1 Nëntor 2026

Curri: Fitorjmë dhe futemi në vallen e kualifikimit

Lojtari që aktivizohet te turqit e Gençlerbirligisë, mund të spostohet në mesfushë

Roli i mbrojtësit të Gençlerbirligisë në ndeshjen me “gjelat” tashmë është kthyer në çështje. Forma e mirë që ka treguar Teli në qendër të mbrojtjes i jep mundësi trajnerit Kuzhe të forcojë mesfushën me Currin, duke rritur lartësinë. Ndonëse vendimi nuk është përfundimtar, gjasat janë që Debatik Curri të luajë si mesfushor.

Debatik, kundër U-17 jeni aktivizuar në mesfushë. Edhe me Francën do të luani në këtë rol?

Në ndeshjen me Malin e Zi, u futa në pjesën e dytë në këtë pozicion dhe në bazë edhe të këshillave të trajnerit mund të luaj në të ardhmen në mesfushë. Trajneri po përpiqet që të më vendosë në atë pozicion, ku mund të marrë më të mirën nga unë. Gjithsesi, vendimi nuk është përfundimtar, duhet të kalojnë dy seancat e fundit.

Nëse luani në mesfushë, Lala spostohet në stol…

Lala dhe ndonjë lojtar tjetër janë gati për të luajtur. E thashë edhe më lart, vendimi nuk është përfundimtar. Trajneri do të vendosë për aktivizimin e lojtarëve që të japin maksimumin në fushë.

ǒmund të na thoni për Francën?

Unë mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja palët. Mendoj të marrim një rezultat pozitiv, që të rrisim shanset për një kualifikim të mundshëm.

Për të marrë një rezultat pozitiv, ç’duhet të bëjmë?

Unë mendoj që loja do të jetë në varësi të kundërshtarit. Nëse ata na vënë në presion, edhe ne do të kundërpërgjigjemi. Është e rëndësishme të mos rrimë të gjithë mbrapa. Franca luan në nivele të larta, njësoj si skuadrat e tjera të forta me të cilat jemi përballur. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe do të kemi shumë rreziqe në portën tonë.

Cilët janë më të rrezikshmit?

Riberi, Maluda, Nasri e ndonjë tjetër janë më të rrezikshmit dhe mund të bëjnë diferencën.

Nuk ishit në formë, por Kuzhe ju besoi vendin e titullarit ndaj Bosnjes…

Tani ndihem shumë më mirë. Kemi filluar herët fazën përgatitore dhe jam marrë me stërvitje intensive. Për momentin ndihem shumë mirë dhe shpresoj që të gjithë energjitë t’i shpenzojmë në këtë ndeshje për më të mirën.

Më mirë një pikë me Francën, apo tri me Luksemburgun?

Unë mendoj se është më mirë t’i fitojmë të dyja ndeshjet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›