E Diel, 1 Nëntor 2026

Murati: Sikur të isha vetë në fushë

SHKRUAN: Jeton Selimi 01-09-2011 13:46

Ndodhej në hollin e Hotel “Sheraton” dhe së bashku me pjesëtarë të stafit të kombëtares franceze, shkëmbente batuta. Edvin Murati, ish-mesfushori i kombëtares kuqezi dhe PSG-së, është padyshim i njohur mes përfaqësueses së “gjelave”. Një bisedë e gjatë me Florent Maluda, më pas një takim me presidentin e Federatës Franceze të Futbollit dhe “Lusha” ndihet si në shtëpinë e tij. Megjithatë, për një lojtar të adhuruar dikur nga publiku kuqezi për shkak të teknikës, golave dhe shpirtit luftarak, kjo ndeshje kundër Francës nuk është një nga ato për t’u parë nga tribuna. Është pikërisht ai shpirt luftarak që e detyron Muratin, tashmë 36-vjeçar, që të psherëtinte: “Sikur të kisha mundësi të luaja. Më bëhet sikur nesër do të vesh këpucët dhe do të zbres vetë në fushën e lojës” - thotë “Lusha”, që më pas duke qeshur shton: “Sa mirë do të ishte, po thuaj që nuk bëhet gjë. Më ka marrë malli për ndeshjet në “Qemal Stafa”, për ngrohtësinë e publikut tonë që na ka mbështetur gjithnjë fuqishëm. Tifozët do të jenë një armë shumë e fortë për Shqipërinë. Ashtu kanë qenë gjithmonë dhe kështu do të jetë.”

Si një njohës i mirë i futbollit francez, pasi ka milituar për një kohë të gjatë mes skuadrave si PSG, Lilë, Shatoru etj, Murati jep edhe mendimin e tij teknik në lidhje me sfidën e nesërme. Sipas Edvinit, Franca do të luajë me 3 sulmues, pasi do të kërkojë të shënojë sa më shpejt. “Ata kanë lojtarë të mirë nga krahët dhe një qendërsulmues që po kalon formë të shkëlqyer si Benzema. Riberi dhe Maluda mund të jenë ata që do të na sulmojnë nga krahët dhe detyra e kombëtares sonë është që të paralizojë këtë manovër ofensive. Franca do të kërkojë që të na shënojë shumë shpejt, pasi kështu do të mund të na kontrollojë në gjysmëfushën tonë si dhe do të ruante energji të vlefshme për ndeshjen tjetër kundër Rumanisë,” analizon Murati.

Në fund, ish-mesfushori kuqezi që ka koleksionuar 42 paraqitje me fanellën e Shqipërisë dhe ka shënuar katër gola, shpreh edhe dëshirën e tij në lidhje me rezultatin final. “Shpresoj që të marrim të paktën një barazim. Franca është shumë e fortë dhe përveç zotësisë sonë, na nevojitet edhe fati. Unë kam besimin se një barazim mund ta marrim dhe kjo do të ishte si një fitore,” përfundon deklaratën e tij për gazetën “MAPO”, Edvin Murati.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›