E Shtunë, 31 Tetor 2026

Curri pas golit: “Siguruam mbijetesën”

EKSKLUZIVE - "Siguruam mbijetesën në kampionat". Kjo ishte deklarata nga Ukraina e Debatik Currit, i cili realizoi edhe golin e parë nga pika e bardhë në fitoren 3-0 në transfertë të Vorskla Poltava me Kharkiv. "Zhvilluam një lojë të jashtëzakonshme dhe ishim superiorë ndaj kundërshtarit. Goli ishte i pesti për mua në kampionat ", -shtoi kosovari, i cili luan si mbrojtës majtë në skuadrën ukrainase. Dy golat e tjerë mbajnë firmën e Chichikov (43') dhe Esin (57').
Edhe në derbin e "shqiptarëve", Vorskla-Kryvbas (javën e kaluar), Curri realizoi po me penallti në prani dhe të trajnerit të Kombëtares, Ari Han. "Luajtëm shumë fort. Si unë e Armend Dallku, i cili luan si mbrojtës i majtë. I mbuluam mirë sulmuesit kundërshtarë, për të arritur fitoren e katër radhazi", - shton Curri, autori i golit fantastik kundër Holandës në humbjen 2-1 të Kombëtares sonë në Amsterdam për eliminatoret e Euro 2008.
Curri shprehet i kënaqur, që Shqipëria do të luajë miqësoren me Poloninë. "Han na ndoqi në Ukrainë, por unë besoj se të gjithë lojtarët që do të thirren në ndeshjet miqësore të Kombëtares do të japin më të mirën e tyre në grumbullimin që do të kryhet në Gjermani". Për rreth 15 minuta në takimin Kharkiv-Vorskla Poltava luajti edhe kosovari Ahmed Jonuzi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›