Dëmtohet Muriqi, anulon duelin e 9 majit

Elvir Muriqi ka pësuar një tërheqje të muskulit në shpinë të mërkurën, gjë që e ka detyruar që të anulojë përballjen e tij me Omar Sheika, e paraparë të zhvillohet më 9 maj në Atlantic City, ka bërë të ditur "Boxing Talk".
Por këtë e ka shfrytëzuar kundërshtari i tij për të filluar një luftë fjalësh me boksierin shqiptar. "Ti je frikacaku më i madh që kam takuar ndonjëherë. Dëgjova se kishe kërkuar më shumë para dhe meqë nuk i more u tërhoqe. Ti je një turp për boksin dhe njerëzit e tu.
Dua që të gjithë promotorët ta kuptojnë se ti nuk je një njeri i besueshëm. Pse duhet dikush të të ofrojë një ndeshje të madhe kur ty nuk mund të të besohet nëse do të paraqitesh", ka thënë Sheika pasi ka mësuar se dueli mes të dyve nuk do të zhvillohet, të paktën jo më 9 maj.
Ndërkohë Muriqi në një intervistë për "Boxing Talk" ka lënë të kuptohet se dueli mund të zhvillohej pas një apo dy muajash. "Do të boksoj kundër tij edhe pa para pasi e di se ai nuk e ka vendin në të njejtin ring me mua. Këtë e di më siguri. E vemja gjë është se nëse boksoj kundër tij duke mos qenë në 100 përqindëshin tim ai mund të zhvillojë një ndeshje të mirë dhe ta qojë ndeshjen deri në fund. Unë duhet ta nokautoj Omarin", ka thënë Muriqi.