Volejboll, Studenti shpallet kampion

Ekipi i Studenti në volejboll për meshkuj nuk njeh rival për sezonin 2007-2008. Nëse sinjalin e parë kërcënues ndaj të tjerëve e dha në Kupën e Shqipërisë, jo më larg se dje Studenti ka bërë të tijin edhe titullin kampion në finalen e radhës me bardheblutë në pallatin e sportit "Asllan Rusi". Meshkujt kryeqytetas të drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri kanë fituar edhe finalen e dytë të play off-it ndaj Tiranës pas asaj të parës dhe me të njëjtin rezultat, 3-0 duke u shpallur kështu matematikisht kampionë për të tetën herë prej sezonit 1995-1996. Suksesi i bardhekuqve të Tomorrit ishte i merituar duke mos vuajtur shumë për të marrë trofeun e dytë sezonal. Disavantazhi i pastër i finales së parë të play off-it në "Fahrie Hoti" ishte lënë pas nga të bardheblutë e Kojës. Në të treja setet "armata" e Kojës u shndërrua jo pak herë në një "kockë të fortë" për Studentin sidomos në setin e dytë, por që në fund u "likujduan" bindshëm nga këta të fundit 25-16, 25-22 dhe 25-20. Ndërsa në setin e parë u vu re hera herës një diferencë mes të dyja kampeve dhe një epërsi e Studentit, kjo nuk ndodhi në setin e dytë, i cili përfundoi vetëm me tre pikë diferencë. Në setin e tretë Studenti merr frenat e lojës ku e shikon veten shumë shpejt në avantazh 4-1. Në këtë cast kreu i pankinës së Tiranës nxjerr jashtë titullarin e saj Elton Tukseferi vendin e tij ia beson Sinanit. Setin e tretë të kësaj finale e gëzoi për shumë minuta edhe kosovari i Studentit Gazmend Husaj. Nga 4-1, Tirana i ngushton shifrat në 4-3 madje del edhe para në 5-7. Husaj e ka të vështirë të ambjentohet duke i dhuruar disa pikë të kundërshtarëve nga ana tjetër e rrjetës. Sikur të mos mjaftonin këto, Husaj gabon edhe nga shërbimi. Afër fundit loja vazhdon me shumë barazime. Por deri këtu. Më pas komanda do të merrej nga vendasit me 20-17, 22-18. Studenti gjen kohë të ofrojë edhe pak spektakël me anë të kosovarit tjetër Kajtazi, i cili merr pikë prej shërbimit. Përfundimisht Studenti bën "bis" për 2008-ën, fillimisht Kupa dhe tani titulli kampion.
Olgert Serani (Panorama Sport)