Curriculum Vitae të mangëta
Shumëkujt i rastis të hartojë një Curriculum Vitae (jetëshkrim), ose t’i lexojë të të tjerëve, për t’i përdorur si model, a për shkak të detyrës, si drejtues në një qendër pune. Mjaft prej të mirëshkolluarve, edhe pse kanë çfarë thonë, ato i përpilojnë shkurt. Ka të tjerë që t’i marrin mendtë, me numërime pa fund, deri në voglima, që, po të ishte se flitet për sende, do t’i quanim xhinglamingla.
Në Shqipëri kjo ka marrë rëndësi, herë të njëmendtë e herë sa për rregull, sepse tregu i punës është i vogël dhe konkurrenca tepër e madhe. Po t’i shtosh kësaj, njohjet e shumta në një popull sa i yni dhe korrupsionin në periudhën kalimtare, kuptohet që, secili që kërkon punë, mundohet të sjellë me të shkruar, sa më shumë të dhëna rreth vetes. Ashtu, Curriculum Vitae e stërzgjatur, përveç se mënyrë njohjeje, merr edhe trajta të trysnisë psikologjike, për një mbushje mendje më të sigurtë. Shqiptarët kanë emigruar shumë nëpër botë, për të përfituar nga e mira në dhera të tjerë, por edhe nga që, në vendin e tyre, nuk ka shumë punë dhe, kur e gjejnë një të tillë, ajo nuk është as e mirëpaguar.
Por, le të kthehemi te Curriculum Vitae. Në aq emërtime sa renditen, edhe kur hartohen të tejzgjatura edhe kur përpilohen shkurtazi, nga shkujdesja a nënkuptimi, atyre u mungon diçka tejet thelbësore, për të cilën punëmarrësi nuk e vret kryet, morpo, as e çon fare nëpër mend. Kur vjen rendi për t’u shprehur për gjuhët që zotërohen, tregimi për gjuhët e huaja shtjellohet i përpiktë ose edhe i zbukuruar : ato numërohen e saktësohen, për kah shkalla e nxënies, duke shkruar, ta zemë: anglisht - shkëlqyeshëm; ose shumë mirë; ose mirë; përmenden dhe dokumentet e provimeve të dhëna. Edhe nëpër botë, Curriculum Vitae kërkohet e gjykohet mbi të, por kujdes të veçantë, merr edhe njohja konfidenciale aq sa thuhet që, “çfarë di është e rëndësishme, por më e rëndësishme është çfarë di të bësh”. Kështu, nëpër jetëshkrimet e panumërta që vërshojnë e qarkullojnë zyrave, të institucioneve publike e private, të faqosura si s’ka më bukur, me teknologjinë e kohës, mungon e nuk thuhet asgjë, thuajse nga të gjithë e, për më keq, as kërkohet nga të gjithë, të shkruhet: “Di Shqip: shkëlqyeshëm me gojë e me shkrim; apo shkëlqyeshëm me gojë e mirë me shkrim; apo shkëlqyeshëm me gojë e mjaftueshëm me shkrim; apo shkëlqyeshëm me gojë e keq me shkrim. Si mund të jetë e pranueshme që, një i ri me universitet, për të konkurruar në tregun e punës, ka mësuar dy, tri a katër gjuhë të huaja, kurse në të shkruar të shqipes është llahtari. Të zë lemeria, po të jetë se të qëllon, të merresh me përgatitjen për botim a të paraqesësh me përgjegjësi, tekste, shkresurina e dokumente zyrtare. Gjuha, pasuria më e madhe e kombit, thelbi i identitetit tonë mes popujve të tjerë, mjeti i pazëvendësueshëm i bashkëbisedimit mes nesh, është duke u përballur me problemet më serioze të mendueshme. Fjali të nakatosura, as shqip e as në gjuhë të huaj, përmbytin ngado. Fjalë të huaja të panevojshme, sulen si ushtri pushtuese të ftuara, që, thirren e nuk kundërshtohen. Fjalë të mirëfillta të shqipes lihen anash në ndryshkje, si të panevojshme, e mos më keq, edhe të shpërfillura fyeshëm. Gjuha ulërin nga ky dhunim i përditshëm. Përkundrazi, shurdhanët, gjysmë të diturit, shtihuesit si të kulturuar, i shkruajnë gabimet, e zezë mbi të bardhë, me emrin e mbiemrin e tyre në krye a në fund të një teksti, e kurrkush nuk e çan kryet, askush nuk u thotë “plaç!”
S’ka bashkëbisedim të përkyer, pa gjuhë të bukur.
S’ka letërsi të madhe, pa gjuhë të magjishme.
S’ka shkencë të thellë, pa gjuhë të përpiktë.
Dokumentat e vlefshëm mbijetojnë me gjuhën e kulturuar të zyrave.
Shkurt: Ata njerëz që nuk mund të flasin, në Veri thirren belbanë, gagaçë në Shqipërinë e Mesme, memecë në Jug. Gagaçëria jonë gjuhësore ka marrë dhenë, deri atje sa, vërtetë gjindemi pa rrugë të dytë: Gjuha duhet marrë nën mbrojtje, nga keqpërdoruesit e lirisë në përdorimin e saj, vetjak e të përbashkët, prej atyre që sillen me gjuhën si në pronën e fituar pa mund: dua e ruaj, dua e shëmtoj.
Nuk ka pse të mendohet si shpenzim i tepërt që, aty ku del një gazetë, të ketë një “rojtar gjuhe” - specialist. Aty ku ka një ministri, të vihet një “mbikëqyrës gjuhe” - specialist, që t’u japë përmbajtje të kulturuar dokumenteve e t’i shpëtojë zyrtarët nga firmosje gafash gjuhësore. Aty ku ka një ekran, të mos lejohet të zbrazet folësi a gazetari, si t’ia thotë mendja dikujt, qoftë nga dijet e pamjaftueshme të tij, ashtu dhe nga shtirjet kulturore të shpifura. Një financë e vogël, për të përforcuar sigurinë e gjuhës, nuk do të qe shpenzim, as i madh e as i pamend, ndaj kësaj vlere të qenësishme. Ashtu, siç, shteti i thotë një shkelësi të ligjit, “ dil përpara drejtësisë”, ashtu dhe rrënuesit të gjuhës, duhet t’i thuhet që, edhe ajo ka ligjin e vet e nuk lejohet nëpërkëmbja. Dëmtuesit duhet të përballen e të njohin ndëshkimin.
Të mos harrohet se, kjo duhet të shmanget që në Curriculum Vitae, të cilat sillen zyrave të Shqipërisë, si të qenë zyra të shteteve të tjerë, ku nuk i vihet pikë rëndësie, shënimit nëse di shqip. Në to, e para dhe me përgjegjësi, që duhet shkruar, është: Di Shqip. Domethënë, Gjuhën Shqipe.
Shqiptarët, për shkak të emigrimit të gjatë në kohë e të shumtë për nga numri, janë ndër popujt që flasin gjuhë të huaja më shumë se sa mjaftë popuj të tjerë. Së voni ka pasur edhe një vendim qeveritar, për t’u përshëndetur, i cili e futi mësimin e anglishtes qysh në klasë të parë të fillores dhe thellësia e njohjes së anglishtes, i jep pikë maksimale një maturanti që konkurron për në shkollën e lartë. Kjo do ta bëjë anglishten si një gjuhë të dytë zyrtare. Por, e para të jetë e të mbahet shqipja.
Më në fund, le të përmendim vetëm dy shembuj:
Për hir të shporrjes së kolonializmit serb, shqiptarët e Kosovës, mjaft të pezmatuar, u pajtuan të ndryshonin disa simbole kombëtare të qenësishme, le të përmendim, himnin dhe flamurin, madje guxohet t’u thuhet se janë “kombi kosovar!”. Por askush nuk u kërkoi atyre e askush nuk do të mund t’u kërkonte: lereni edhe gjuhën shqipe! Sepse, kjo, përveç që është e pamundur, atë nuk e pranon populli.
Bashkimi Europian u ka vënë kusht emigrantëve: nuk do të legalizohet askush, në shtetin ku punon, nëse nuk njeh gjuhën e kulturën e vendit ku jeton. Madje, edhe Rusia e miratoi ligjin që, lejon punësimin e të huajve vetëm pasi të testohen mbi zotërimin e njohurive bazë të rusishtes.
Asnjë koment!