E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja ekonomike e SHBA dhe reflektimi i saj tek vendet e BE

28-10-2012 / Nga Ilirian Dahri

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijnë lajme të mira. Pikërisht në prag të zgjedhjeve amerikane Gdp e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka filluar të rritet. Të dhënat vijnë nga Departamenti i Tregtisë sipas të cilave prodhimi i brendshëm bruto në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rritur me 2%, në trimestrin e tretë të këtij viti. Surpriza qëndron në faktin se analistët e shumtë amerikanë (dhe jo vetëm ata) prisnin që të ngrihej me 1,8%. Në fakt po të krahasohet me trimestrin e dytë të këtij viti mund të thuhet se rritja ka vlera të mëdha në këtë kohë krize sepse për trimestrin e dytë ishte me një +1,3%. Nga ana tjetër shitjet e prodhimeve amerikane janë rritur me 2,1% në një kohë kur kjo shifër ishte +1,7%, tre muaj më parë. Në të njëjtën kohë shpenzimet qeveritare kanë arritur në 3,7% dhe kjo është konsideruar si rritja më e madhe që prej vitit 2009, ku pjesën më të madhe e ka mbrojtja. Rritje është shënuar edhe në sektorin imobiliar me 14,4%, ndërsa investimet në aktivitetet që përjashtojnë ndërtimin kanë zbritur në 1,3%. Importi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në 0,2% ndërsa eksporti ka shkuar në 1,6%. Në këtë mënyrë edhe bursat kryesore europiane të cilat deri në ato moment ishin të dobëta kanë arritur që të përfitojnë nga kjo situatë. Ky lloj optimizmi i duhej shumë edhe Europës e cila në vende të veçanta anëtare të bashkimit Europian ka ende problem me krizën. Një ndër këto vende është padyshim  edhe vendi fqinj i Greqisë që sipas të dhënave të fundit të Eurozonës, në vitin 2020 do të ketë një borxh përtej parashikimeve (120%) por që do të arrijë në 137%. Priten nga ana e qeverisë greke më yeper reforma strukturore për të marrë ndihmat ndërkombëtare për të cilat shteti grek ka shumë nevojë. Në fakt qeveria e Samaras nëpërmjet ministrisë të Zhvillimit do të paraqesë afro 90 masa që përfshihen në një plan të detajuar me trojkën (Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qëndrore Europiane) dhe tashmë pritet që edhe partitë të aprovojnë këto masa. Por do të ketë edhe një ligj të rrallë sipas të cilit klientët nëpër restorante dhe dyqane të tjera mund të ikin edhe pa paguar nëse nuk do të merrnin kuponin tatimor. Sipas shtypit grek kjo masë e rrallë në botë është konceptuar për të reduktuar evazionin fiskal të një vendi që mban vendin e parë në Eurozonë për këtë problem. Pritet që miratimi dhe zbatimi I këtij ligji të bëhet shumë shpejt dhe mund të fillojë që prej javës së ardhshme. Krahas privatizimeve dhe rregullave të reja të tregut, të cilat janë të shkruara në Memorandumin që Greqia ka firmosur me kreditorët ndërkombëtarë, është përshirë edhe ky ligj sipas të cilit konsumatori ka të drejtë që mos të paguajë atë që ka konsumuar apo blerë nëse nuk i jepet për arsye të ndryshme kuponi. Natyrisht që edhe këto masa janë të lidhura drejtpërdrejt me vendet e Bashkimit Europian që kanë kaluar krizën ose që janë duke dalë prej saj. Masa drastike dhe të çuditshme por sidoqoftë të domosdoshme. Ndërkaq, një tjetër vend anëtar i Bashkimit Europian  ka arritur në shifra rekord të papunësisë.  Tashmë ka arritur në 25% të popullsisë aktive që do të thotë që në katër spanjollë vetëm njëri punon. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikës të papunët në Spanjë janë 5. 778.000 me një rritje prej 85000 të papunësh krahasuar me trimestrin e kaluar. Flitet se ky është niveli më i lartë i papunësisë që prej vitit 1976, dhe rikthimit të demokracisë në këtë vend që prej vdekjes të Frankos. Nga ana tjetër nga një tjetër vend anëtar i Bashkimit Europian si Italia, vijnë sinjale positive. Sipas ministrit italian të Koezionit territorial, Fabricio Barka, vendi i tij ka ndihmuar ka ndihmuar shumë dhe vetë Europën që mos të hynte në një krizë të thellë. “Pikërisht falë Italisë, Europa ka shmangur krizën. Sot Italia ka ndihmuar në tre mënyra […]: ka zgjidhur problemin e financës publike që ishte jashtë kontrollit; ka lejuar Europën që të përdoret një prej instrumenteve të saj, Bankën Qëndrore Europiane; ka rihapur temën e rritjes ekonomike”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›