Cvetkoviç ankohet tek ambasadat perëndimore

Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviç, ka kërkuar një takim emergjent me përfaqësuesit e ambasadës amerikane, franceze dhe asaj gjermane në Beograd, duke protestuar për veprimet e Policisë së Kosovës, e cila dëboi nga territori i Kosovës, të ashtuquajturin ministër për Kosovën dhe Metohinë, Goran Bogdanoviç, gjatë vizitës së tij në Shtërpcë.
Cvetkoviç ka theksuar se kjo është një thyerje e së drejtës së lëvizjes, përderisa ka kërkuar nga ambasadorët të dënojnë veprimet e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, raportojnë mediet serbe.
Ai po ashtu ka kërkuar nga këto vende mbështetje që të mbështetin dhe të shikojnë kushtet e jetës së serbëve në Kosovës.
Bogdanoviq, u dëbua dje nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës, sipas një urdhri të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, për shkak se po zhvillonte aktivitete politike, pa leje paraprake.