E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK në koalicion me AKR’në në Mitrovicë

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, të enjten kanë arritur marrëveshje për të qeverisur së bashku, edhe për katër vjetët e ardhshme, Komunën e Mitrovicës, ndërsa Kryesia Qendrore e AKR’së nuk është pajtuar për këtë marrëveshje.

Drejtues të degëve të këtyre partive në Mitrovicë, thanë të enjten se kjo marrëveshje është vazhdimësi e qeverisjes dyvjeçare në mandatin e kaluar, ndërsa nuk kanë bërë të ditur detajet e marrëveshjes.
Kryetari i Degës së PDK’së në Mitrovicë, Ahmet Tmava, tha se së bashku me partnerin e ri qeverisës - AKR’në, do të punojnë që t’i ofrojnë kryetarit përkrahje politike dhe profesionale, në mënyrë që në qeverisjen lokale të jetë sa më efikas dhe të punojë në të mirë të qytetarëve.

“Në bazë të aftësive profesionale, kryetari do t’i emërojë drejtorët”, tha Tmava, i cili paralajmëroi edhe marrëveshje me parti të tjera, në mënyrë që ta kenë numrin e nevojshëm në Asamblenë Komunale.

Ndërsa Kryetari i Degës së AKR’së, Ibrahim Bala, tha se programi i kësaj partie parasheh një qeverisje transparente dhe efikase gjithnjë në të mirë të qytetarëve dhe u shpreh i bindur se së bashku me PDK’në do të arrijnë këtë.

“Gjatë qeverisjes katërvjeçare së bashku me PDK-në do të punojmë në interes të përgjithshëm të qytetarëve të qytetit të Mitrovicës, qytet ky i cili i ka specifikat e veta”, tha ai.
Në Asamblenë Komunale, PDK-ja ka 14 këshilltarë, ndërsa AKR-ja 7.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›