E Diel, 1 Nëntor 2026

Kermabon: Në Kosovë mund të ketë vetëm një sistem juridik

Me rastin e vizitës së tij në Ranillug, shefi i misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon tha se EULEX-i është i vendosur që të ndihmojë në forcimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit.

“Institucionet e fuqishme, të drejta dhe shumetnike janë opsioni i vetëm për të gjitha komunitetet. Kjo do të jetë garanci për një drejtësi të drejtë dhe do t’i bëjë të ashtuquajturat struktura paralele jorelevante”, tha Kermabon.

Sipas tij, EULEX’i nuk ka ardhur në Kosovë për të qeverisur, por për t’i ndihmuar autoritetet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit.

“Deri më tash, ne kemi punuar në pjesën veriore sipas qasjes hap pas hapi. Kjo qasje është dëshmuar mjaft efikase. Siç edhe ka përmendur ministri Pajaziti, ne besojmë se dialogu është mënyra e shkuarjes përpara dhe jo përdorimi i forcës”, theksoi ai.

Sipas Kermabon, EULEX-i nuk i njeh dhe as nuk i ndihmon të ashtuquajturat struktura paralele në Kosovë dhe mandati i EULEX-it lidhur me këtë është i qartë.

“Ky mandat buron nga Veprimi i Përbashkët i vendosur nga 27 shtetet anëtare të BE-së. Aty thuhet se ne gjendemi këtu për të ndihmuar institucionet e Kosovës, autoritetet e drejtësisë dhe institucionet për zbatimin e ligjit”, pohoi Kermabon.

Kermabon ka thënë se vendimi politik i Beogradit për emërimin e gjykatësve për gjykatat serbe në Kosovë kërkon veprim urgjent.

“EULEX-i është duke punuar në rithemelimin e gjyqësorit funksional në veri të Mitrovicës, ka rihapur gjykatën dhe zhvilluar pesë gjykime aty. Tani prioriteti ynë kryesor është që gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë dhe serbë të Kosovës të kthehen në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, në mënyrë që drejtësia të ushtrohet nga një gjyqësor i vetëm vendor dhe shumetnik”, tha ai.

“Në asnjë shtet në Evropë nuk ekzistojnë dy sisteme gjyqësore që veprojnë njëkohësisht dhe në të njëjtin vend. Me dy juridiksione nuk mund të ketë drejtësi. Kjo mund të shkaktojë vendime kundërthënëse të cilat do të jenë në kundërshtim me të drejtat e popullatës. Në Kosovë mund të ketë vetëm një sistem juridik”, përfundoi Kermabon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›