Çështjet e hapura të Kosovës

Bashkëpunëtori i Këshillit joqeveritar për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Charles Kupchan, thotë se nuk mund të imagjinojë që shumica e serbëve që përcjellin zhvillimet në Kosovë, besojnë se Kosova do të kthehet në Serbi.
Por anën tjetër, ai “beson se mbetet e hapur çështja e pjesës veriore të Kosovës”.
Sipas mendimit të këtij eksperti amerikan, edhe vetë Prishtina shtron çështjen e mundësisë së integrimit të plotë të pjesës veriore me Kosovën.
Kjo, sipas tij, mbetet një problem i rëndë, për shkak se popullsia shumicë është serbe, e pastaj edhe për faktin se infrastruktura dhe shumë lidhje të tjera, siç janë arsimi, shëndetësia dhe të tjera, janë të lidhura fuqishëm me Beogradin, e jo me Prishtinën.
Megjithatë kjo nuk ndikon në pavarësinë e Kosovës, nënvizoi Kupchan për "Zërin e Amerikës".
Ndërkaq, në kontekstin e integrimeve të mëtejshme euroatlantike, ai theksoi se Washingtoni pret me padurim që Europa të marrë përsipër një rol më të madh global nga i tanishmi. Ai është i mendimit se NATO-ja dhe BE-ja do ta kryejnë detyrën në rajonin e Ballkanit, por fillimisht duhet pritur rregullimin e rrethanave në BeH, Kosovë dhe Serbi, pas të cilave Kupchan nuk dyshon se tërë rajoni i Ballkanit do të bëhet pjesë e kontinentit europian.