E Shtunë, 31 Tetor 2026

D`Elia-Metës: Italia avokate e Shqipërisë për në BE

Zv Kryeministri Meta dhe Ambasadori D`Elia ndanë së bashku vlerësimin se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë të shkëlqyera dhe rikonfirmuan vullnetin e ndërsjellë politik të dy qeverive për thellimin dhe zgjerimin e tyre në të ardhmen.

 “Italia ka qenë dhe mbetet partneri kryesor strategjik politik dhe ekonomik i Shqipërisë, si dhe një mbështetëse pa ekuivok e përpjekjeve integruese të vendit tonë në strukturat evropiane dhe euroatlantike”, tha Meta. Ai shtoi se “për vetë historinë dhe raportet tradicionale mes popujve tanë, afrimitetin gjeografik dhe afinitetet kulturore mes tyre, marrëdhëniet me Italinë janë të natyrshme e parësore”.

Nga ana e tij, Ambasadori D`Elia ka siguruar se “Italia do të vazhdojë të jetë avokate e Shqipërisë në përpjekjet e saj integruese në Bashkimin Evropian dhe do të luajë rolin e veçantë si promotore kryesore dhe mbështetëse, në strukturat e larta evropiane, si për procesin e liberalizimit të vizave ashtu dhe për aplikimin për anëtarësi të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Konsolidimit të dialogut politik dhe thellimit e institucionalizimit të mëtejshëm të marrëdhëniet e bashkëpunimit dy dhe shumë palësh, do t`i shërbejë dhe takimi mes z.Meta dhe homologut të tij italian Ministrit Frattini, për të cilin të dy bashkëbiseduesit ranë dakord ta realizojnë së afërmi.   

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›