E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiakët e PS-së: Sdo të tolerojmë prekjen e buxhetit

01/10/2009  Transferimi i taksës së ndikimit në mjedis nga vendorët në qeveri

Qeverisja vendore e kryesuar nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste ka vendosur të kundërshtojë një zëri projektligjin për transferimin e njërës prej taksave lokale drejt qeverisë. Të mbledhur në një takim në selinë rozë me kreun socialist, njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, kryetarët e bashkive kryesore të vendit i bënë thirrje qeverisë dhe kryeministrit Berisha të heqë dorë nga miratimi i një ligji të tillë, në të kundërt ata do të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre. Pas përfundimit të këtij takimi kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cilësoi vendimet e fundit të qeverisë dhe të Kuvendit si vendime në disfavor të autonomisë së bashkive. “Ne jemi të shqetësuar, sepse ky qëndrim vjen si rrjedhojë e mospërqasjes politike që ne përfaqësojmë në këto bashki në raport me qeverisjen qendrore. Por kjo mospërqasje nuk duhet të kalojë në kurriz të këtyre investimeve që janë për qytetarët tanë, të cilët na kanë votuar dhe ne i kemi përfaqësuar denjësisht deri tani”, - vlerësoi Gjika në fjalën e tij. Njëkohësisht, duke vijuar në po këtë linjë, ai shtoi se “këto iniciativa të qeverisë shqiptare bien ndesh me politikën e autonomisë vendore dhe ne sot jemi mbledhur në një takim, ku në përfundim i bëjmë thirrje qeverisë që të mos kujtojë se ne do të kthehemi në një ndërmarrje komunale, por do të vazhdojmë të përshkallëzojmë qëndrimet tona për të garantuar ato që na njeh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe për të garantuar të gjithë zgjedhësit tanë për shërbime cilësore dhe investime të qëndrueshme”. Sipas tij, këto shërbime dhe investime vijnë duke përforcuar autonominë vendore, duke garantuar taksat dhe tarifat vendore, të cilat janë kompetencë ekskluzive e këshillave bashkiake dhe jo kompetencë e qeverisë, duke mos anashkaluar pushtetin vendor, pavarësisht përfaqësimit politik, që nuk është sipas dëshirës së kryeministri Berisha. Nga ana tjetër, Gjika bëri me dije se qëndrimin e tyre do ta shtrijnë në bashki dhe komuna të tjera, pavarësisht përfaqësimit të tyre politik dhe do ta bëjnë të njohur këtë në institucionet ndërkombëtare, fillimisht nga ato që përfaqësohen në Shqipëri, por edhe jashtë vendit. “I bëjmë thirrje kryeministrit që të hapë rrugë, ti lejojë qytetarët shqiptarë, që pavarësisht dhe për kë kanë votuar, të shërbehen më cilësisht dhe tu njihet e drejta për tu qeverisur dhe për të investuar të ardhurat”, - tha Gjika. Duke u ndalur në një vendim konkret, ai nënvizoi: “Ai do të merret pasi të jemi konsultuar edhe me të zgjedhurit e tjerë, pasi sot jemi mbledhur vetëm një pjesë e të zgjedhurve vendorë, por ne do të marrim kontakt edhe me përfaqësues të tjerë të çfarëdolloj force politike. Sigurisht, ka një shoqatë të kryetarëve të bashkisë, të cilëve u bëj thirrje të mos flenë gjumë, por të përshkallëzojnë veprimet, duke u bërë aktivë në qëndrimin që duam të mbajmë ne, me qëllim që të garantojmë jo vetëm Kushtetutën, por veçanërisht kartën e autonomisë lokale, e cila njeh të drejtat tona për të pasur vendimmarrje në bazë të vendimeve të këshillave bashkiakë, duke garantuar standarde cilësore dhe investime të qëndrueshme për të ardhmen.”

Zëvendëskryeministri Meta bisedon me ambasadorin italian DElia

Së shpejti pritet takimi mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve

Ambasadori italian premton vijimin e mbështetjes për Shqipërinë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka pritur dje në një takim të veçantë kortezie ambasadorin e Italisë në Tiranë Saba dElia, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimin europian të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë bisedës u diskutua mbi një takim që Meta do të zhvillojë me homologun e tij italian, ministrin e Punëve të Jashtme Franko Fratini. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë MPJ-së, bëhet e ditur se konsolidimit të dialogut politik dhe thellimit e institucionalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit dy- dhe shumëpalësh do ti shërbejë dhe takimi mes Metës dhe homologut të tij italian, ministrit Fratini. Numri dy i qeverisë shqiptare theksoi se Italia ka qenë dhe mbetet partneri kryesor strategjik politik dhe ekonomik i Shqipërisë si dhe një mbështetëse pa ekuivok i përpjekjeve integruese të vendit tonë në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Nga ana e tij ambasadori DElia ka siguruar se vendi i tij do të vazhdojë të jetë avokat i Shqipërisë në përpjekjet e saj integruese në BE dhe do të luajë rolin e veçantë si promotore kryesore dhe mbështetëse në strukturat e larta evropiane si për procesin e liberalizimit të vizave, ashtu dhe për aplikimin për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

PS rikërkon hetim për zgjedhjet

Braçe: Të dhënat diktojnë transparencë të votës

Partia Socialiste kërkoi sërish dje hetim për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Një qëndrim i tillë u bë dje i ditur nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili gjatë një konference për shtyp përsëriti edhe një herë qëndrimin e PS-së. Rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit nuk është në rregull. Por ne nuk kemi shprehur asnjëherë, nuk kemi kërkuar asnjë ditë të ndryshojmë këtë rezultat duke ndarë mandate të tjera, të reja në tavolinë. Ne e dimë fare mirë se procesi zgjedhor ka përfunduar, por për të gjithë duhet të jetë e qartë se ne nuk po kërkojmë ti shtojmë një dimension të ri procesit zgjedhor”, - vlerësoi Braçe. Sipas tij, cenimi deri në rrënim i këtij parimi ka futur në krizë demokracinë në këtë vend dhe kompromisi duke pranuar formalisht rënien e demokracisë e kthen vendin 20 vjet pas. “Sali Berisha manipuloi zgjedhjet e 28 qershorit dhe për këtë ai është sot shkaktari i kësaj krize”, - u shpreh deputeti socialist. Gjithashtu, në po këtë linjë, Braçe kërkoi që “procesi zgjedhor të vihet nën një dimension legal të së vërtetës ligjore përmes një instrumenti kushtetues hetimi, në referencë të një standardi ndërkombëtar dhe transparent”. Po kështu, ndalur edhe një herë te raport i ODIHR-it, Braçe vlerësoi se të dhënat e këtij raporti duhet të jenë arsye të mjaftueshme për pavlefshmerinë e zgjedhjeve në qendra votimi dhe lejimin e një rinumërimi të mundshëm.“Raporti i ODIHR-it ose, siç i pëlqen Berishës, raporti i Watch dog-ut ndërkombëtar, është një raport vëzhgimi, nuk është raport hetimi. Ai ka sjellë fakte të forta për sjelljen e Wild dog-ut qeveritar, shfaqur gjatë zgjedhjeve”, - theksoi Braçe. Sipas tij, faktet e raportit të ODIHR-it janë të dhëna të forta, që forcojnë kërkesën për hetim. “Hetim që do të prodhojë një të vërtetë reale, të thelluar e faktuar mbi zgjedhjet. E vërteta duhet të dalë në dritë plotësisht edhe në Tiranë, edhe në Berat, kudo ku vota është vjedhur, përmes hetimit dhe një raporti hetimi”, - tha ai.

Kuvendit hap dritën jeshile për uljen e moshës

Pensioni për punonjësit e nëntokës, efektet financiare nisin në vitin 2013

Komisioni parlamentar i Shëndetësisë miratoi me votat e mazhorancës projektligjin më të fundit të qeverisë që parashikon uljen me pesë vjet të moshës së përftimit të pensionit të punonjësve të nëntokës. Sipas këtij projekti, punonjësit e nëntokës kanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie kur arrijnë moshën 60 vjeç dhe kur kanë periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet, nga të cilat jo më pak se 15 vjet punë në nëntokë. “Pensioni llogaritet sipas rregullave të përcaktuara për pensionet e pleqërisë në ligjin nr. 7 703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Efektet financiare të këtij ligji deri në mbushjen e moshës, sipas nenit 92 të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të përballohen nga buxheti i shtetit”, - thuhet në nenin 2 dhe 3 të projektligjit “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës”. Sipas një vendimi të Këshillit të ministrave të vitit 1958, nga ky pension do të përfitojnë 18 profesione të ndryshme. Efektet financiare të këtij ligji do të nisin në vitin 2013, kohë kur dalin në pension rreth 2800 punonjës të këtyre kategorive. Gjithsej janë 3600 persona, që përfitojnë një pension në formë të ndihmës sociale rreth 8000 lekë në muaj. Kostoja e pensioneve sipas këtij ligji deri në moshën 65-vjeçare të punonjësve të nëntokës do të përballohet nga buxheti i shtetit dhe më pas nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kostoja në vitin e parë të pagesës së pensioneve, pra pas 2013-s, në respektim të këtij projekti do të arrijnë rreth 25 milionë lekë në muaj, ose 300 milionë lekë në vit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›