E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH: Zgjedhjet hap para, por u vunë re mangësi

12/03/2010 Hillari Klinton prezanton raportin për të drejtat e njeriut

Një problem tjetër për Shqipërinë vazhdon të mbetet drejtësia

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut në botë, shprehet se zgjedhjet e vitit 2009 ishin një hap para për vendin, por sidoqoftë u vunë re mangësi në to. Në lidhje me këto të fundit, raporti u referohet pretendimeve dhe bojkotit të opozitës kur shprehet se “zgjedhjet u vlerësuan nga ODIHR-i si hap para, por ende vihet re mangësi; opozita ka bojkotuar Kuvendin që prej shtatorit, teksa kërkon hetim parlamentar për këto zgjedhje”, thuhet në raport. Ndërkohë, raporti vlerëson se diskriminimi dhe trafikimi mbeten probleme të mprehta për vendin. Raporti thotë se drejtësia dhe gjyqësori vazhdojnë të vuajnë nga korrupsioni dhe mungesa e pavarësisë. “Kushtetuta garanton pavarësinë e sistemit të drejtësisë, por gjithsesi presioni politik, intimidimi dhe korrupsioni i shpërndarë, shpesh kufizojnë këtë liri dhe funksionimin demokrat të këtij sistemi”, shprehet raporti. Sipas tij, në shtator u hodh poshtë ndjekja penale e prokurorisë ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, i cili ishte i lidhur me akuzën e abuzimit me detyrën në lidhje me shpërthimin që ndodhi në Gërdec. “Gjykata e Lartë thotë që ministri Fatmir Mediu të ishte me imunitet përballë prokurorisë, në hetimin e shpërthimit të Gërdecit në vitin 2008, ku vdiqën 26 persona. Çështja u pushua dhe deri në fund të vitit, ndërsa prokuroria nuk e ka kërkuar më imunitetin e Mediut”, thuhet në raport. Raporti u prezantua dje nga Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton. Zgjedhjet në Shqipëri u cilësuan nga raporti i OSBE/ODHIR si më të mirat që janë zhvilluar ndonjëherë në vend, por gjithsesi opozita shqiptare i kontestoi ato, pasi u certifikuan nga KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor. Opozita pretendoi se zgjedhjet ishin manipuluar dhe preferoi të bojkotonte Parlamentin e dalë nga 29 qershori. Ndërkohë, në raportin e prezantuar dje është shtuar dhe një kapitull për Kosovën, ku renditen disa probleme, që nga minat e pashpërthyera, tek korrupsioni qeveritar, ndërhyrja e Qeverisë te forcat e sigurisë dhe te sistemi i drejtësisë, mungesa e proceseve të drejta gjyqësore, dhuna politike dhe etnike, antipatia e shoqërisë ndaj serbëve dhe Kishës Ortodokse serbe, mungesa e përparimit në kthimin e personave të zhvendosur pas konfliktit.

Kosova

Raporti thotë se hetimet kanë vazhduar në lidhje akuzat për trafikimin e civilëve të rrëmbyer nga Kosova dhe të dërguar në Shqipëri, ku pretendohet se disa janë vrarë dhe organet e tyre janë trafikuar gjatë konfliktit të vitit 1999 në Kosovë. Gjatë vitit 2009 kishte njoftime për kërcënime dhe sulme ndaj figurave politike dhe institucionale. Megjithatë, nuk kishte njoftime për zhdukje të personave politikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›