E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati me kundërshtarin, grushte në zyrën e gjyqtarit

12/03/2010 Alarm në institucion. Gjyqtarët përballë qytetarëve të irrituar nga padrejtësitë.

TIRANË- Sherret në gjykata kanë ndodhur edhe më parë, por protagonistë nuk kanë qenë avokatët mbrojtës, siç ishte rasti i djeshëm kur ky i fundit u përlesh me një klient. Një ngjarje e pazakontë ndodhi dje në zyrën e gjyqtarit Sokol Tona. Pikërisht në një moment kur gjyqtari la zyrën për të përfunduar disa punë që kishin lidhje me procesin gjyqësor, ajo që nuk duhej të ndodhte ngjau për pak minuta. Palët të vëna përballë në një proces civil, janë konfrontuar. Fillimisht zënka ka nisur me fjalë fyese për të përfunduar në grushte. Sipas burimeve nga gjykata bëhet e ditur se pala paditëse në proces ka fyer dhe sharë rëndë avokatin e palës së paditur, L. Dingo. Ky i fundit nuk ka duruar dot. Në pak minuta zyra e gjyqtarit është kthyer në arenë ndeshje. Avokati ka humbur durimin dhe ka qëlluar me grusht në fytyrë palën paditëse, e cila përfaqësohej nga avokati Gentian Mete. Duke qenë se ngjarja ka ndodhur në pak minuta dhe palët janë larguar nga zyra e gjyqtarit me ardhjen e policisë, nuk u mësua emrin e personit që u godit nga avokati, por edhe policia e Tiranës nuk e ka bërë publik emrin e tij. Pas kësaj ngjarje alarmi ka qenë i menjëhershëm. Të parët që reaguan ishin policët e togës së shoqërimit. Por këta nuk kishin të drejtën e shoqërimit, por të ndërhyrjes për të shuar konfliktin e momentit. Më pas nga ana e gjyqtarit është lajmëruar policia, e cila ka marrë avokatin Dingo dhe personin që provokoi sherrin për ta shoqëruar në komisariat. Pas ngjarjes, të pyetur rreth rrethanave, për të mësuar më saktësisht për atë që ndodhi, askush në gjykatë nuk ishte në gjendje të fliste. Tashmë ngjarja ka kaluar në duart e policisë. Nuk është hera e parë që në zyrat e gjyqtarëve ndodhin ngjarje të tilla. Madje kanë qenë gjyqtarët ata që këtë shqetësim e kanë thënë me zë të lartë edhe në institucionet nga ata varen. Ndërkohë pak kohë më parë, kur nga ana e KLD-së u zhvillua edhe analiza vjetore e gjykatave, ky fenomen ka qenë i rreshtuar si një nga problematikat kryesore. Zhvillimi i seancave në zyrat e gjyqtarëve sjell edhe pasoja të tilla. Mungesa e infrastrukturës arrin të vërë në rrezik jetën e gjyqtarëve, avokatëve dhe prokurorëve. Nga ana e gjyqtarëve është kërkuar gjithmonë ndihmë për sigurinë në zyra. Palët jo vetëm që grinden me fjalë fyese, por duke qenë përballë fakteve që u rëndojnë kalojnë edhe në rrahje me grushte dhe sende të tjera rrethanore.

Pak minuta pas ngjarjes së rëndë

Mister klienti, policia e shoqëron

Tashmë ngjarja është në duart e policisë, e cila do të zbardh motivin. Më pas gjithçka i kalon hetimeve të Prokurorisë. Sakaq, duke qenë se ngjarja ka ndodhur në pak minuta dhe palët janë larguar nga zyra e gjyqtarit me ardhjen e policisë, nuk u mësua emri i personit që u godit nga avokati, por edhe policia e Tiranës nuk e ka bërë publik emrin e tij. Për këtë ngjarje janë angazhuar tashmë forcat e policisë së Tiranës, të cilat e kanë ndaluar këtë person për ta marrë në pyetje rreth rrethanave të këtij sherri që ende mbetet i pakuptueshëm. Por të tilla ngjarje të pakëndshme janë të shpeshta në ambientet e gjykatës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›