DASH i shqetësuar për Dosjet: Fried i përcolli mesazhin Berishës
Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim për miratimin e Ligjit për Pastërtinë e Figurave të Zyrtarëve nga Parlamenti i Shqipërisë. Duke folur sot në konferencën e rregullt për shtyp, Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Shon Mekormek, tha se këto shqetësime ia ka ngritur qeverisë shqiptare ndihmës sekretari i shtetit Daniel Frid.
Zëdhënësi Shon Mekormek tha se procesi i ndjekur për miratimin e ligjit për Pastërtinë e Figurave ka dhënë arsye për shqetësime nga pala amerikane. Shtetet e Bashkuara, tha ai, ia kanë shprehur këto shqetësime qeverisë shqiptare dhe pikërisht ndihmës-sekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë Daniel Fried bisedoi me Kryeministrin e Shqipërisë për këto shqetësime.
Zoti Mekormek tha se ky është një nga ato procese që Shtetet e Bashkuara po e ndjekin nga afër. “Është me rëndësi, që në çdo demokraci qeveria të udhëheqë në një mënyrë të tillë që të gjithë njerëzit të kenë mundësi të marrin pjesë në përcaktimin e të ardhmes së vendit”- tha ai.
Shtetet e Bashkuara, sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, e kanë të qartë se Shqipëria është duke u ballafaquar me historinë e saj, por ajo duhet të sigurojë që në këtë proces të mos i përjashtojë njerëzit nga jeta e përditëshme në vend.