Dosjet, OSBE: Qeveria të konsultohet me ekspertët
Prezenca e OSBE-së i bën thirrje qeverisë shqiptare që të garantojë që ligji për pastërtinë e figurës të përmbushë standardet ndërkombëtare. Alex Finnen, zëvendës shef i prezencës së OSBE-së në vendin tonë ka reaguar sot pas miratimit të ligjit të dosjeve në parlament.
Sipas Finnen, ligji për Pastërtinë e Figurës i miratuar nga Kuvendi duhet të përmbushë kërkesat e një vendi që bazohet mbi shtetin ligjor. Në veçanti, sipas tij, duhen respektuar plotësisht dispozitat përkatëse të Kushtetutës dhe standardet e pranuara ndërkombëtare.
“Për këtë qëllim, nga qeveria shqiptare pritet që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në konsultim me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të garantuar që ky ligj përmbush standardet ndërkombëtare, dhe në këtë mënyrë do të sigurojë partnerët ndërkombëtarë për angazhimin e saj ndaj këtyre standardeve”- tha ai.
Finnen ka saktësuar se prezenca e OSBE-së ka ndjekur debatin në Parlamentin Shqiptar ku u miratua Ligji për Pastërtinë e Figurës me shumicë të thjeshtë, të 77 anëtarëve të pranishëm. “Ne gjithashtu vërejmë shqetësimet e shprehura sot nga disa shtete pjesëmarrëse të OSBE-së dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës. OSBE-ja mbetet e gatshme të ndihmojë në rast se kjo gjë i kërkohet nga qeveria shqiptare.”- përfundon deklarata.