Hamasi: Gati të rinovojmë armëpushimin me Izraelin
Hamasi do të marrë në konsideratë rinovimin e marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin në Rripin e Gazës, por kërkon garanci nga ana e shtetit hebre se ky i fundit do të ndalojë sulmet e papritura dhe do të mbajë të hapura pikat kufitare për kalimin e furnizimeve me ushqime, ndihmave dhe naftës drejt Gazës, deklaroi sot zëdhënësi i Hamasit, Faëzi Barhoum.
Liderët islamikë të Gazës fillimisht kishin hedhur poshtë mundësinë e rinovimit të marrëveshjes gjashtëmujore të armëpushimit, marrëveshje e arritur me ndërmjetësimin e Egjiptit, të cilën ata e deklaruan të përfunduar javën e kaluar.
Militantët palestinezë zhvilluan sulme me raketa dhe kjo shtoi tensionin me palën izraelite.
Por, zëdhënësi Faëzi Barhoum bëri të ditur se Hamasi dhe disa fraksione të tjera në Gaza ishin të gatshme të shqyrtonin ofertat për rinovimin e marrëveshjes.
Mbyllja e pikave të kalimit kufitar nga ana e Izraelit ka shtuar mjerimin dhe varfërinë në territorin bregdetar, ku ndodhen dhe jetojnë më tepër se 1,5 milionë persona, si dhe ka detyruar mbylljen e hidrocentralit kryesor në vend dhe ndalimin e ndihmave ushqimore nga agjencitë ndërkombëtare.
Ky ndryshim nga Hamasi u deklarua dy ditë para bisedimeve që do të zhvillohen në Kajro mes presidentit egjiptian, Hosni Mubarak dhe ministres së Jashtme izraelite Tzipi Livni, kandidatja kryesore për të zëvendësuar Ehud Olmertin në postin e kryeministrit, në zgjedhjet e ardhshme që do të zhvillohen në shkurt. (atsh)