E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH:Kritikat ndaj Klintonit,të padrejta

Departmenti i Shtetit i quajti të padrejta dhe të pasakta kritikat e disa komentatorëve të gazetave amerikane, sipas të cilëve Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, nuk i ka dhënë rëndësi çështjeve të të drejtave të njeriut gjatë dy udhëtimeve të saj të para jashtë shtetit. Zonja Klinton do të takohet sot me homologun kinez, Jang Jieçë me të cilin pritet të diskutohet edhe çështja e Tibetit. Departamenti i Shtetit hodhi poshtë në mënyrë të prerë kritikat e komentatorëve ndaj Sekretares Klinton, sipas të cilëve, ajo ka ulur rëndësinë e çështjeve të të drejtave të njeriut gjatë dy udhëtimeve të saj të para jashtë vendit në cilësinë e kryediplomates. Gjatë një komenti të publikuar dje, e përditshmja amerikane, Uashington Post, e akuzonte zonjën Klinton se ajo po zhvlerëson traditën amerikane në mbrojtje të të drejtave të njeriut duke minimizuar shqetësimet mbi to, gjatë vizitave të fundit në Kinë, Egjipt dhe Turqi, vende të cilat janë ndeshur me kritika të vazhdueshme në raportet e përvitshme mbi të drejtat të Departamentit të Shtetit. Komenti i së përditshmes amerikane vinte në dukje deklaratat e zonjës Klinton gjatë udhëtimit të muajit të kaluar në kontinentin aziatik, ku ajo tha se, "shqetësimet mbi të drejtat e njeriut nuk mund të ndërhyjnë në dialogun amerikano-kinez mbi ekonominë, sigurinë dhe ambjentin".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›