D’Alema: Rama përfaqëson një gjeneratë të re në politikë
Aristir Lumezi
Ish-kryeministri italian, Massimo D’Ale-ma, e ka cilësuar kryetarin socialist përfaqësues të gjeneratës së re të politikës. Gjatë një takimi me të majtën italiane, D’Alema ka vlerësuar kreun socialist për arritjet e tij në bashkinë e Tiranës. Përmes një interviste, ish-kryeministri italian, D’Alema, mbështet socialistët shqiptarë dhe kryetarin e tyre. “Unë tashmë e njoh prej vitesh Edi Ramën. Ai ka qenë dhe është një kryetar i suksesshëm i Bashkisë së Tiranës, gjë që sipas meje paraqet një vlerë themelore. Ai mund t’ju demonstrojë qytetarëve shqiptarë se është një njeri që ka ditur dhe di të administrojë mirë çështjet publike. Edi Rama është një intelektual, një njeri që ka vizion evropian, dhe për më tepër një njeri që është i njohur dhe i respektuar në Europë. Unë vetë e konsideroj si një potencial mjaft të fuqishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe për marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë”, u shpreh D’Alema. Pa dashur të bëjë parashikime elektorale, ish- kryeministri i suksesshëm italian shprehet se në krye të PS-së është një njeri që i përket gjeneratës së re të politikanëve. “Unë nuk bëj parashikime elektorale. Mund të bëj një urim në këtë pikë dhe këtë e bëj me shumë kënaqësi në emër të miqësisë dhe mbështetjes. Politika shqiptare ka qenë për një kohë të gjatë e mbërthyer nga ata që ne italianët i quajmë “dhelpra të vjetra”. Ndërsa Edi Rama nga ky këndvështrim përfaqëson një gjeneratë të re dhe një mënyrë europiane për të bërë politikë, kështu që unë mendoj se përfaqëson një shpresë shumë të rëndësishme për vendin tuaj”, u shpreh ish-kryeministri italian.
Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë i ftuar të flasë përpara të pranishmëve në një takim të organizuar nga e majta italiane për të ardhmen e shoqërisë bashkëkohore. Kryesocialistit i është kërkuar nga organizatorët të paraqesë eksperiencat e tij të suksesshme në Tiranë dhe një pamje të perspektivës të hapësirës komunitare në një kohë ndryshimesh radikale për të gjithë botën. Edi Rama ka vënë theksin tek nevojat e vizionit të ri evropian për pjesën e Ballkanit, e cila ka mbetur ende jashtë Bashkimit Evropian. Ai ka nënvizuar se politika e vjetër e izolimit të këtyre popujve sjell efekte negative në procesin e rritjes dhe të zhvillimit të vetë vendeve të zhvilluara. Gjatë fjalës së tij Rama gjithashtu ka nënvizuar se është koha për integrim dhe jo izolim. “Në fakt nuk është e vërtetë që politikat izoluese janë të suksesshme, pasi këta persona kanë nevojë të ndjehen pjesë e një bote të përbashkët, nëse nuk ndjehen pjesë e kësaj bote do jenë gjithnjë të prirur ta shkatërrojnë këtë botë”, u shpreh Rama.