Milo: Të ndërpritet bashkëpunimi me të djathtën
Partia Demokracia Sociale kërkoi ndërprerjen e çdo bashkëpunimi me të djathtën. Në mbledhjen e KPD-së së kësaj partie, kreu i saj, Paskal Milo e cilësoi shtetin shqiptar si shtet të Fazlliçëve dhe Delijorgjëve, njerëzit e mafies transnacionale. Por kreu i PDS-së kërkoi nga e majta të unifikojë qëndrimet në luftën politike. Duke marrë një rol ndërmjetësi mes dy koalicioneve të ndara opozitare socialisteve dhe të majtës për integrim, Milo bëri thirrje për unifikim të qëndrimeve në luftën ndaj maxhorancës aktuale. Duke pranuar faktin se në zgjedhje këto dy koalicione mund të shkojnë edhe të ndara, kreu i PDS-së, Milo cilësoi si të domosdoshme të lihen mënjanë akuzat dhe përplasjet brenda llojit. “Ne mund të shkojmë edhe në zgjedhje me dy koalicione të opozitës, por sigurisht që kjo nuk është zgjidhja më e mirë. Opozita duhet të bashkohet në një front të vetëm për këto zgjedhje, sepse kjo është mënyra e vetme që ajo të rikthehet në pushtet në vitin 2009”, u shpreh Milo. PDS ende nuk ka vendosur qëndrimin e saja zyrtar për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të 2009, duke lënë të hapur çdo bashkëpunim brenda të majtës.