D'Anuncio, Qen Bir Qeni - Numër Një
Romancieri me mendjen poetike dhe romantike, Gabriele D'Anuncio, ai që vizatoi uniformat me këmishat e zeza dhe ringjalli për fashizmin përshëndetjen ala Romane, i vetëshpallur dashnor i madh, në një portret të mrekullueshëm të gazetarit George Seldes. "Shekulli" e boton për herë të parë në shqipe, shkëputur nga libri "Dëshmitar i një shekulli"
George Seldes
Gibonsi, një irlandez, i cili nuk kishte qenë kurrë në Irlandë, i pëlqeu aq shumë shkrimet e mia për Irlandën, sa që ma ndërpreu vizitën time të shkurtër në Londër, më bëri korrespondent shëtitës, puna më e mirë e më të mirave në të gjithë Europën. Ai më telegrafoi në fund të vjeshtës 1919: SHKO NË FIUME, INTERVISTO D'ANUNCION. Unë vajta.
Një nga mitet më të mëdha të kohës sonë, ndoshta i caktuar nga fati për të jetuar për breza të tërë, me nderimet (apo me çnderime) është Musolini me fillimin e fashizmit.
Fakti është se romancieri me mendjen poetike dhe romantike, Gabriele D'Anuncio, organizoi Legjionin Dalmat, vizatoi uniformat, paraqiti këmishat e zeza, ringjalli përshëndetjen ala Romane dhe shpiku tërë fashizmin, përveç terrorizmit dhe gjakderdhjes. (Kur u formua Fashio e parë në Milano, Musolini nuk ishte njëri nga themeluesit: karta e tij e partisë mbante numrin 7.)
Me Legjionin e tij Dalmat të këmishëzinjve, D'Anuncio "zaptoi" një qytet jugosllav, tashmë i pushtuar prej trupave të rregullt të ushtrisë italiane.
"Zaptimi" kish të bënte me një bashkëbisedim të tijin me një gjeneral të quajtur Pitaluga, i cili e përshëndeti dhe iku në shtëpi. Lidhja e Kombeve e kërcënoi se do ta bombardonte D'Anuncion - me një luftanije, të cilën nuk e kishte - dhe bota europiane i lexonte gazetat dhe qeshte.
Nga viti 1919, ky njeri dikur djalosh i bukur, ky i ri me flokë të derdhur dhe veshje të përkorë, ky i vetëshpallur dashnor i madh, ky D'Anuncio gjeni lëvdatëmadh, tani ishte veç një tullac, një plak i ndyrë lapërdhar, ndonëse i veshur me një uniformë të shkëlqyer mareshalli, duke u mburrur përqark si ndonjë kacagjel me hap të shtrirë posi Napoleon.
Ai e vinte veten në dukje thuajse çdo ditë, duke kaluar në revistë trupat e tij. Ai i rekomandoi ballkonin botës politike.
Falë një takimi të pashmangshëm në sallën e pushimit të të vetmit hotel të asaj kohe në Fiume - nuk kish turistë dhe pothuajse nuk kish fare ushqim - shumë shpejt u miqësova me një njeri, i cili e quante veten togeri Henri Farst, banor në Samit Avenju, Nju Jork, Nju Xhersi, tani sekretar vullnetar i D'Anuncios. Ai më rrëfeu historinë e "zaptimit" dhe më rregulloi një takim për intervistë.
D'Anuncio më priti në pallatin e guvernatorit, në një dhomë të mbushur plot e përplot me perde të gjata të purpurta, statuja të dorës së dytë, piktura të dorës së tretë, tapiceri të trëndafilta, me shumë karrige, një kanape e stërmadhe me shumë nënkresa.
Pyetja e parë që i bëra ishte:
"Çfarë do të bëni në qoftë se Presidenti Uillson dhe Lidhja e Kombeve do të dërgojnë kundër jush një flotë"? Unë flisja me një frëngjishte të keqe; ai u përgjigj në ato që ma rrok mendja se janë gjashtërrokëshat daktilë:
Të gjithë rebelët e të gjitha racave duhet të mblidhen nën flamujt tanë
Dhe të paarmatosurit do të armatosen,
Dhuna do t'i kundërvihet dhunës.
Do të jetë një kryqëzatë e re e të gjithë kombeve të varfër dhe të skamur, e të
gjithë njerëzve të varfër, e të gjithë njerëzve të lirë.
Kundër kombeve që zotërojnë pushtet dhe grumbullojnë pasuri.
Kundër kombeve grabitqarë,
Kundër kastës të kamatarëve, të cilët dje nxirrnin përfitime nga lufta dhe sot
nxjerrin përfitime nga paqja.
Dhe ne do të rivendosim drejtësinë e vërtetë, të cilën një njeri i ftohtë dhe budalla
me një çekan ia mori borxh një kancelari gjerman të dikurshëm, kryqëzuar me
Katërmbëdhjetë Gozhdë...
Katërmbëdhjetë Gozhdët kishin kuptimin e Katërmbëdhjetë Pikave të Uillsonit.
Por, ai nuk kishte kohë për të humbur. Përkufizimet paraprirëse e thuajse të gjitha ato të mëparshmet dhe vijueset, u shfaqën fare shpejt paskëtaj në një vëllim të hollë poetik të D'Anuncios, botuar në Fiume.
Ndërsa po largohesha nga poeti, ai më shtiu në mendje që të intervistoja të ashtuquajturin president të Fiumes, i cili më siguroi se jugosllavët po aq mirë sa edhe italianët e përkrahnin atë. Dr. Grosiç ishte një burrë shumë plak dhe ndoshta nuk e dinte kuptimin e asaj që po thoshte. Teksa e pyeta rreth plebishitit, që e zgjodhi dhe mbështeti D'Anuncion, ai u përgjigj:
"Ishte i mirë dhe u zhvillua me ndershmëri. Të gjithë qytetarët e mirë u lejuan të votojnë - ne i hoqëm qafe të gjithë elementët e padëshiruar, të gjithë socialistët, punëtorët që ishin bërë shkaktarë turbullirash - ne dëbuam pesë mijë prej tyre".
Plebishiti që miratoi komandantin italian D'Anuncio, kishte shumicën e pak më shumë se njëqind personave.
Të pesë mijtë që u dëbuan para votimit ishin të gjithë jugosllavë.
Kur kjo histori e vogël doli në botimin e Parisit të Çikago Tribjun - e pata kaluar kontrabandë tekstin e intervistave tri ditë më parë - pronari i hotelit më lajmëroi që ta lija hotelin dhe t'ia mbathja me trenin më të parë, përndryshe "D'Anuncio do të të qëllojë."
Në Abacia, në gjysmë të rrugës për në Trieste, tre anëtarë të Legjionit Dalmat hynë në kabinën time dhe më urdhëruan të kthehesha prapë në Fiume.
Nuk pranova. Pastaj të tre më qëlluan disa herë me grushte, më kapën nga krahët dhe nga këmbët dhe më nxorën në stacion. Unë këmbëngula që t'i telegrafoja konsullit amerikan në Trieste dhe u thashë atyre që më kishin kapur se konsulli do të dërgonte një luftanije amerikane për të më liruar. Ata nuk e dërguan telegramin tim, por besuan fjalët që thashë për luftanijen amerikane. U lejova që të kap trenin tjetër.
Në të vërtetë, D'Anuncio ishte i mundur. Ishte i detyruar të dorëzohej. Kur pat organizuar këmishëzinjtë e tij dhe pat pushtuar Fiumen, ai pat caktuar një botues të gazetës së Milanos, Popolo d'Italia, një mik për të mbledhur para e për t'i dërguar atij ushqime dhe armatime.
Ky mik, gazetari B. Musolini, mblodhi njëzet e pesë deri në pesëdhjetë mijë dollarë, shumicën prej italiano-amerikanëve. Ai nuk i dërgoi D'Anuncios asgjë. Kur Musolini doli në gjyq para Shoqatës së Gazetarëve të Lombardisë për vjedhjen e këtyre parave, ai e mohoi "vjedhjen", por pranoi se u kishte "ndërruar drejtimin" parave, por për të njëjtin qëllim, pajisjen e trupave ilegale të këmishëzinjve me emrin "fashistë" për të zëvendësuar Legjionin Dalmat.
Me këtë mënyrë të dykuptimtë, italiano-amerikanët u bënë mbështetësit e parë të fashizmit. Me pesëdhjetëmijë dollarët amerikanë që i vodhi D'Anuncios, Musolini mundi të krijojë Fashion e Milanos në një ushtri kombëtare të këmishëzinjve - e cila në të vërtetë mori pushtetin në vend.
D'Anuncio, ndoshta, ishte një shkrimtar i madh. Dy nga librat e tij janë quajtur kryevepra nga shumë njerëz, gjykimit të të cilëve u besoj. Frensis Uinuari, në punimin e saj Flatrat e zjarrit, e lavdëron D'Anuncion dhe po ashtu informon lexuesit e vet se Il Fuoco (Flaka) "është fëmija i tij dhe Duses, pikërisht sikurse Trionfo della morte (Triumfi i vdekjes) pat qenë fryti i dashurisë së tij për Barbara Leonin".
Me sa duket, këtij gjeniu i nevojitej një dashuri e re për çdo libër të madh, pikërisht siç bënte Heminguej (kështu bënte edhe F. Skot Fitxheraldi më tregoi njëherë Morlei Kallagani).
Por, megjithëse Heminguej u martua katër herë dhe shkroi nga një libër të bukur pas çdo martese, ai as nuk i zvetënoi, as nuk i tradhtoi frymëzimet e sukseseve të tij letrare - ai thjesht i largoi ato. D'Anuncio i përdorte dashuritë e veta për përparime letrare, e duke bërë kështu, ai i flakte tutje. Në rastin e Eleonora Duse-s ai kreu një krim të pafalshëm, duke shitur "fëmijën" e dashurisë së tyre për para.
Për më tepër, para se të botohej Il Fuoco, Duse-s i patën thënë se në atë libër nuk ishte vetëm historia e dashurisë së tyre, por, gjithashtu, një libër kushtuar gjerësisht mënyrës së tyre të të bërit dashuri dhe seks. Ishte kaq e hollësishme, kaq shkoqur, sa që ky libër do të trondiste botën letrare jo vetëm të Italisë, por edhe të Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara. Eleonora Duse me ngut vajti tek ai.
D'Anuncio e siguroi se heroina Foskarina, nuk ishte aktorja dhe ato që kish shkruar nuk ishin poshtëruese ose tronditëse, siç i patën thënë Duse-s. Si për t'u mbrojtur, ai mund t'i lexonte asaj disa faqe, të cilat ia lexoi dhe Duse u largua.
Ndonëse ka qenë e pamundur për mua që të gjej prova të dokumentuara për këtë histori, e cila vazhdon, po e tregoj këtu siç ma kanë rrëfyer persona nga burime të sigurta, të cilëve u besoj.
Duse erdhi për herë të dytë të takojë D'Anuncion. Ajo i tha se ai e kishte gënjyer. D'Anuncio u rrudh dhe i tha se ishte trokë, ama fare trokë, dhe se i duheshin para.
Duse e pyeti sa para. D'Anuncio tha se botuesi i tij i Milanos i pat premtuar 25.000$.
Duse i kërkoi ish-të dashurit që ta priste për njëfarë kohe.
Me ngut ajo rregulloi një sërë shfaqjesh "lamtumire" në Amerikë, luajti nëpër salla të mëdha, shumë kritikë shkruan se ajo ishte më madhështore se sa kishte qenë Sara Bernardt ndonjëherë.
Ajo u kthye në Itali duarplot me 25.000$ dhe ia dha paratë D'Anuncios. Ai i dha dorëshkrimin.
Në apartamentin e saj, përpara oxhakut, Duse lexonte Il Fuoco. Ishte një libër shumë i bukur, thuajse një kryevepër.
Por, si një roman a clef, nuk kish nevojë për çelës. Foskarina ishte plotësisht e ngjashme me të; dhe me prozën e tij më të mrekullueshme poetike ai ia kushtonte kapitull pas kapitulli çdo hollësie të të bërit dashuri midis syresh, madje pa harruar as damarët e kaltër tek shalët e hapura të dashnores dhe as qimet e pubisit.
Faqe pas faqeje Duse e hodhi dorëshkrimin në zjarrin e oxhakut.
Rreth tre muaj më vonë libri doli në të gjitha libraritë e Milanos. Libri u çua në shtyp nga kopja e dytë me fletë karboni, që kishte bërë autori - gjë për të cilën Duse nuk ishte në dijeni - dhe, D'Anuncio, kësaj radhe përlau edhe një dorë tjetër me 25.000$
(Tradhtia është tradhti, si ndaj një njeriu, po ashtu ndaj një shteti.
Shumë tradhtarë kanë tradhtuar vendin e tyre për atë që besonin, për një çështje fisnike. Ky njeri thjesht i dyfishoi paratë e veta. Mendoj se ai ia meriton të jetë në krye të trinisë sime të pashenjtë të Qen Bir Qenve.)