E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumari, rritje e lartë për vitin 2008-n në Shqipëri

"Lehtësirat ligjore kanë bërë që në shtete si, Shqipëria, Singapori dhe Guinea e Re, të ketë një rritje të kumarit"

Vende të ndryshme, duke parë efektet negative të kazioneve në shoqëri, po i largojnë ato jashtë zonave të banuara.

TIRANË- Shqipëria ka njohur një zgjerim të vrullshëm të tregut të lojërave të fatit gjatë vitit të shkuar dhe muajve të parë të këtij viti, për shkak të lehtësirave ligjore që ofron vendi në lidhje me këtë aktivitet.

Sipas raportit të agjencisë ndërkombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit "The Financial Action Task Force", zgjerimi i tregut të lojërave të fatit gjatë vitit të shkuar në Shqipëri është i krahasueshëm me rajone të njohura të botës, siç janë vendet e Lindjes së Largët, që për hir të turizmit e kanë kthyer në traditë këtë sektor.


Zgjerimin e këtij tregu në vend dhe shpenzimet e larta të shqiptarëve në lojërat e fatit, të cilat të krahasuar me atë çka harxhojnë banorët e vendeve përreth nesh, cilësohen mbi mesataren e të ardhurave për frymë, raporti ia dedikon lehtësirave legjislative që i janë krijuar këtij sektori gjatë muajve të fundit.

"Tregu i lojërave të fatit është në një fazë rritjeje në disa vende. Lehtësirat e krijuara në legjjislacion kanë bërë që në shtete si, Shqipëria, Singapori dhe Guinea e Re, të ketë një rritje të konsiderueshme të numrit të pikave të këtyre lojërave dhe kazinove",- citohet në raportin e agjencisë me qëndër në Paris, ndërsa thuhet se disa vende në të cilat ka një aktivitet të zhvilluar të lojërave të fatit, janë duke marrë masa për rregullimin e strukturave ligjore, pasi janë duke u vërejtur ndikime negative në komunitet.

Të tillë janë, Anglia dhe Rusia, të cilat janë të prirura që të mos lëshojnë leje për ngritjen e pikave të basteve apo kazinove pranë qendrave të banuara duke ngritur zona të posaçme për zhvillimin e këtij aktiviteti, i cili për vitin 2008, në të gjithë botën ka gjeneruar plotë shtatë miliardë dollarë të ardhura.


Sipas raportit, qeveritë e shumë e vendeve, janë të prirura që të lëshojnë lehtësisht licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti pasi, pasi kazinotë dhe pikat e lojërave të fatit shihet si mundësia më e mirë për të mbledhur të ardhura të konsiderueshme për shkak të regjimit të taksave të larta që aplikohet.

Sipas raportit për 2008-ën, në të gjithë botën janë rreth 150 vende në të cilat luhet kumar në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme. Nga këto, vetëm 100 e kanë të legalizuar këtë aktivitet, ndërsa tetë prej tyre e katë kategorikisht të ndaluar.

Zakonisht, citohet në raport, zonat në të cilat ndodhen pikat e lojërave të fatit ose kazinotë mbizotërohen nga një nivel relativisht i lartë kriminaliteti, duke i detyruar vende të ndryshme t'i largojnë ato jashtë zonave të banuara.


"Zgjerimi i tregut të lojërave të fatit gjatë vitit të shkuar në Shqipëri është i krahasueshëm me rajone të njohura të botës, siç janë vendet e Lindjes së Largët, që për hir të turizmit e kanë kthyer në traditë këtë sektor"

"Tregu i lojërave të fatit është një një fazë rritjeje në disa vende. Lehtësirat e krijuara në legjislacion kanë bërë që në shtete si, Shqipëria, Singapori dhe Guinea e Re, të ketë një rritje të konsiderueshme të numrit të pikave të këtyre lojërave dhe kazinove"


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›