Të sapourbanizuarit
Qytetet tona janë duke u riformatuar në tipologjinë dhe strukturën e ndërtimit social. Tirana është prekursori dhe modeli i parë në historinë e vendit, që tashmë pothuaj ka marrë formatin e plotë të një qyteti sipas modelit europian.
Tirana është model i "qytetit koncentrik", i cili ka një qendër urbane, në të cilën janë vendosur shumica e institucioneve qeveritare, administrative, kulturore e arsimore, të cilat përbëjnë bërthamën urbane.
Në këtë zonë jetojnë kryesisht qytetarë tradicionalë, që kanë një nivel relativisht të lartë jetese dhe kulture. Kjo është "zona e parë" e qytetit. Në periferi të saj duket se gradualisht po krijohet ajo "zonë periurbane", që e kanë të gjithë qytetet e mëdha.
Këto zona, në të gjithë qytetet tona, janë bërë shqetësim për shkak të diferencave dhe vështirësive të dukshme të një pjese të popullsisë në procesin e vështirë të integrimit urban dhe stratifikimit qytetar.
Si kudo, edhe në Tiranë dhe disa qytete të tjera të Shqipërisë, kjo zonë është më pak e urbanizuar, me mirëqenie dhe norma sjelljeje më të ulëta të qytetërimit në krahasim me zonën e urbanizuar. Në sociologji, zakonisht, kjo zonë e periferisë urbane quhet "zonë kalimtare", e cila gradualisht absorbohet në "bërthamën urbane".
Por, tani duken vështirësi të shumta, për shkak të pengesave materiale urbane, të vështirësive për investime, dhe në shumë raste edhe të rezistencës së fortë që bëjnë banorët e këtyre zonave të ardhura, për shkak të traditës, zakoneve dhe kulturës dominante të trashëguar, ndaj kërkesave të ndryshimit modern të mentalitetit, përvetësimit të standardeve të qytetërimit, që janë të domosdoshme për integrimin dhe absorbimin urban të tyre.
Sociologët janë të mendimit që me këto zona dhe banorët e tyre duhet treguar kujdes i veçantë, sepse në se nuk ndërhyhet me masa me efekte të absorbimit kulturor dhe integrimit të tyre në standardet e qytetërimit, ato si rregull bëhen "lagje të vesit", në të cilat lulëzon varfëria, krimi, prostitucioni, dhuna.
Ato shpesh bëhen lagje të frikshme për pjesën tjetër dhe që me to nuk ka kush dëshirë të ketë marrëdhënie.
Natyrisht, në arkitekturën e qyteteve tona, ka filluar të lulëzojë edhe "brezi i vilave" private të njerëzve të pasur, të cilët kanë filluar të bëjnë një shtresë sociale të identifikuar, që zakonisht nuk jeton tërë kohën në to, por kalon kohën e pushimeve dhe fundjavën.
Të gjithë këto ndryshime që kanë pësuar qytetet tona, flasin për një "revolucion urban" që ka filluar të zhvillohet vrullshëm dhe pa ndalur edhe në shoqërinë tone dhe që duhet drejtuar pa humbur kohë.
Tani qytetërimi shqiptar ka filluar të shfaqet dhe ka prekur fort, të dy "elementët bazë" të saj: nevojën e ndërtimit të mjedisit urban dhe transformimin e të sapoardhurve dhe sapourbanizuarve, në njerëz që dinë të jetojnë në një ambient social të urbanizuar.
Në fakt, urbanizimi i të ardhurve në qytetet tona, integrimi i shpejtë i sapo të urbanizuarve, është ajo që pritet dhe që duhet të ndodhë. Filozofi amerikano-japonez, Francis Fukuyama, duke analizuar këtë dukuri në nivel global, ka vënë në dukje se "...industrializimi i zhvilluar prodhon shoqëri, të cilat janë urbane, mobile, gjithnjë e më shumë të arsimuara dhe të lira nga format tradicionale të autoritetit". Ky është padyshim një objektiv prioritar dhe ultimativ i shoqërisë sonë...