E Shtunë, 31 Tetor 2026

DElia: Zgjidhja e krizës përshpejton integrimin

Ceremonia Ambasadori italian fl et në Ditën e Festës së Republikës Italiane

Me rastin e 2 Qershorit, Ditës së Festës së Republikës Italiane, ambasada e këtij shteti në Shqipëri ka festuar me përfaqësuesit e saj diplomatikë dhe personalitete shqiptare të një sërë fushash si politike, kulturore, ekonomike e më gjerë. Në fjalën e rastit, shkëlqesia e tij, ambasadori Saba D’Elia, në prani të Kryeministrit Berisha dhe Kryetares së Kuvendit Topalli dhe të të ftuarve të tjerë, foli edhe për procesin e shpejtë, sipas tij, të liberalizimit të vizave, njëkohësisht duke u bërë thirrje të dyja kaheve politike për zgjidhjen e krizës aktuale. “Znj. Topalli, z. Kryeministër, me kënaqësi shumë të madhe mora vesh disa ditë më parë nga komisioneri i çështjeve të Brendshme të BE-së, se Shqipëria pas pak muajsh, në një kohë shumë të shkurtër, do të mundë më në fund të udhëtojë pa probleme, sepse vizat do të liberalizohen. Kjo është një përgjigje e progreseve të mëdha të realizuara nga Shqipëria, të cilat ishin kërkuar nga BE. Por është përgjigje edhe e shtysës dhe e kujdesit nga ana e Italisë dhe vendeve të tjera, në favor të procesit të liberalizimit të vizave”, vlerësoi Saba D’Elia, ambasadori italian në Shqipëri. Natyrisht, vijoi ai, për të përshpejtuar integrimin dhe hyrjen e Shqipërisë në BE, duhet që kriza politike e brendshme të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. “Gjej rastin për të ftuar si mazhorancën, ashtu edhe opozitën për të gjetur një marrëveshje të mundshme. Sigurisht një marrëveshje që të respektojë rregullat thelbësore të demokracisë, ashtu sikurse përcaktohen në Kushtetutën e këtij vendi”, nënvizoi ambasadori. Pjesë e fjalës së ambasadorit italian D’Elia ishte edhe marrëdhënia e fqinjësisë mes dy vendeve, roli i Italisë si partner kryesor i Shqipërisë dhe takimet e organizuara në kuadër të nismës së kësaj ambasade “Dy popuj, një det, një miqësi”. Festa e Republikës Italiane zhvillohet më 2 Qershor, në kujtim të 2 dhe 3 qershorit të vitit 1946, datë kjo kur u zhvillua referendumi, gjatë të cilit italianët shprehën vullnetin për formën e qeverisë që do t’i jepnin vendit të tyre, mes Monarkisë dhe Republikës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›