Tërhiqet policia, fshin nga lista 25 komisarët fiktivë
Tërhiqet policia për 25 emrat abuzivë që u shtuan në listën e fituesve të oficerëve të policisë për gradën “komisar”. Reagimi ka ardhur pas publikimit të këtij skandali në gazetën “Shqip”, ku në një njoftim zyrtar, policia është munduar të bindë se është ndjekur procedura e bazuar në ligj, pa pranuar asnjë nga 25 personat që iu shtuan listës së fituesve dhe duke deklaruar se fitues kanë qenë vetëm 60 punonjës policie, ndërkohë që pjesa tjetër nuk e kanë kaluar kufirin e pikëve minimale. Megjithatë, Sindikata është shprehur e bindur se nuk do të tërhiqet nga kjo procedurë, që nuk ka qenë transparente dhe me plotësimin e dokumentacionit, do të kërkojë hetim për komisionet përkatëse në lidhje me vlerësimin e oficerëve të policisë.
Reagimi i policisëZyrtarisht, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka reaguar dje për informacionin mbi abuzimin që po tentohej të bëhej me gradat “komisar” të oficerëve të policisë. Ajo është munduar t’i cilësojë si të pasakta informacionet, duke deklaruar se lista e 60 personave fitues nuk ka ndryshuar. Por nuk ka shpjeguar asnjë detaj në lidhje me listën shtesë të 25 personave, emrat e të cilëve janë siguruar nga Sindikata e Policisë, që pavarësisht se nuk kanë fituar, ishin telefonuar nga persona të caktuar, duke iu shprehur kalimin e testit me shkrim. Policia tha se procesi i konkurrimit për gradën “komisar” përfshin tri faza, përkatësisht: testimin me shkrim, intervistën me gojë dhe ushtrimet vlerësuese. “Ky proces i hapur dhe transparent konkurrimi është ndërtuar konform standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare dhe çdo fazë e tij monitorohet dhe nga organizmat ndërkombëtare, që prej vitesh asistojnë Policinë e Shtetit, Misioni PAMECA dhe Programi ICITAP. Më datë 29.05.2010 u zhvillua faza e parë e konkurrimit për gradën “komisar”, gjatë së cilës u paraqitën për t’iu nënshtruar testimit me shkrim 510 punonjës policie nga i gjithë vendi. Ky proces është kryer në transparencë të plotë dhe janë zbatuar të gjitha rregullat e përcaktuara në aktet normative. Në përfundim të testimit me shkrim është kryer dhe korrigjimi i testimit, proces i cili realizohet me skaner. Bazuar në këtë korrigjim është bërë dhe shpallja e listës së pikëve të grumbulluara nga çdonjëri prej kandidatëve. Pas shpalljes së listës së pikëve, sipas procedurave të sanksionuara dhe në aktet normative fillon procesi i rivlerësimit të pyetjeve, i cili nuk ndikon në uljen e pikëve të kandidatëve pjesëmarrës në konkurrim dhe kryhet nga komisioni përkatës, si dhe procesi i ankimimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurrim”, deklaroi policia. Megjithatë, kjo ndikon direkt në rritjen e pikëve për shumë persona, të cilët nuk janë shpallur fitues në testimin me shkrim.
Komisioni i ApelimitMegjithatë, policia ka tentuar t’ia kalojë këtë procedurë, Komisionit të Apelimit, i cili mblidhet brenda pesë ditëve nga data e testimit me shkrim. Për këtë proces konkurrimi, Komisioni i Apelimit do të mblidhet sot dhe për të ndjekur procesin janë ftuar dhe përfaqësues të Sindikatës së Policisë. Në përfundim të këtyre procedurave shpallet lista përfundimtare, ku fitues të kësaj faze, testimit me shkrim, sipas procedurave të përcaktuara në aktet normative, konsiderohen të gjithë ata punonjës që kanë grumbulluar mbi 60 pikë. Këtë fazë siç dihet e kanë kaluar vetëm 60 persona sipas listës së publikuar në Akademinë e Rendit, pavarësisht se tentativat janë që numri të shkojë deri në 85 veta. Pas testimit me shkrim, të gjithë ata punonjës policie që kanë arritur të grumbullojnë mbi 60 pikë do t’i nënshtrohen dy fazave të tjera të konkurrimit, intervistës me gojë dhe ushtrimeve vlerësuese. Në përfundim të tri fazave të procesit të konkurrimit, bazuar në pikët e grumbulluara, përcaktohet dhe lista e 60 punonjësve të policisë, të cilët konsiderohen fitues dhe do të vijojnë procesin e shkollimit për gradën “komisar”.
Përgatitja e dosjesSindikata e Policisë, por edhe shumë punonjës policie, që kanë konkurruar për këtë gradë, janë shprehur që po përgatisin një dosje për ta dërguar për hetim në SHKB, megjithëse do të presin edhe vendimin e Komisionit të Apelimit. Sipas tyre, nëse lista nuk ndryshon, pra policia tërhiqet, që të mos fusë emra të tjerë, veç 60 personave të parë, atëherë nuk do të kërkohet hetim. Por, nëse hyjnë persona të tjerë, që sipas të dhënave të mbledhura prej tyre, janë kontaktuar si fitues, atëherë do të kërkohet procedim penal, jo vetëm nga SHKB-ja, por edhe nga Prokuroria, me qëllim që abuzimet me dhënien e gradave të përfundojnë një herë e mirë. Sipas të dhënave, një oficer policie në Qarkun e Tiranës, i cili është edhe shef seksioni, kishte mbledhur 51 pikë gjatë testimit, por është kontaktuar si fitues. Në këtë prizëm, Sindikata e Policisë po mbledh të gjithë emrat që mendohet se do të abuzohet me dhënien e gradës për të përgatitur një dosje, pavarësisht se policia ka deklaruar zyrtarisht se vetëm 60 vetë kanë kaluar testimin me shkrim dhe pjesa tjetër mund të konkurrojnë pas një viti. Madje, lista është shpallur që atë ditë dhe e vetmja procedurë që mund të ndiqet ka të bëjë me përsëritjen e provimit.
Justifikimet e dështuaraSipas kontakteve që policia ka pasur dje edhe me sindikatën, janë ngritur një sërë pretendimesh se veprimet që po kryhen pas shpalljes së listës së fituesve janë të pabazuara në ligj. Sipas policisë, në rregulloren e trajnimit është përcaktuar se nëse 90% e konkurrentëve nuk i përgjigjen një pyetjeje në test, atëherë ajo del e pavlefshme dhe nuk llogaritet në pikët e grumbulluara, pavarësisht se 10% e tyre mund të jenë përgjigjur. Pra minoranca penalizohet. Ndërkaq, mësohet se për këtë do të mblidhet komisioni për të shqyrtuar përgjigjet, duke harruar që temat mbi këtë testim ishin shpallur në të gjitha institucionet e policisë. Burimet policore shpjegojnë se oficerët janë ankuar se ka pasur pyetje që nuk i kanë kuptuar, por kjo nuk do të thotë se duhet që të tjerët, të cilët të njëjtat pyetje i kanë kuptuar, të analizohen për pjesën që nuk është kualifikuar. Gjithashtu, sipas procedurave, lista nuk duhej të publikohej që në fillim, pasi nuk mund të ndryshojë më. Policia, sipas procedurave, duhet të bënte të gjitha verifikimet dhe më pas të shpallte fituesit e testimit me shkrim. Në këto kushte, sindikata tregon se nëse do të kryhen veprime të tjera që nuk janë transparente dhe në kundërshtim me ligjin, do të kërkohet hetim. Gjithashtu, sindikata ka kërkuar që këto procedura të bëhen publike edhe për punonjësit e policisë dhe jo vetëm për drejtuesit e trajnimit, pasi nga ankesat, asnjë nuk rezulton se është në dijeni të tyre dhe nuk është bërë njohje për urdhra të tillë.
#