Bushati-Beja, replika për rezolutën
Shtyrja nga Komisioni i Jashtëm i miratimit të rezolutës për ecurinë e integrimit të Shqipërisë, në Tiranë është interpretuar sipas pozicioneve politike. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, u shpreh dje se veprimi në fjalë është një penalizim i Shqipërisë për shkak të krizës politike. Për më shumë ai ka nënvizuar se klima e tanishme paralajmëron shtyrje të mëtejshme, për një dokument që pasqyron monitorimin në terren nga raportuesi Nicholas Countis. “Fakti që PE po shtyn diskutimin për rezolutën për Shqipërinë është një tregues i qartë që afati kohor që i është lënë klasës politike shqiptare për të zgjidhur krizën është një afat kohor serioz. Dhe në rast se ne e marrim shuplakën e parë përmes kësaj shtyrjeje, nuk do doja të beja Kasandrën, por fatkeqësisht duhet të përballemi me shtyrje të tjera”, tha Ditmir Bushati. Por i ndryshëm ka qenë reagimi i kreut të Komisionit Parlamentar të Jashtëm, demokratit Fatos Beja, i cili mesazheve të PE u ka dhënë adresë tjetër. “...duhet kuptuar që nuk është një mbledhje që lidhet me procesin e vizave, është një mbledhje që bëhet në kuadër të një rezolute që ka disa muaj që është paraqitur në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian... Ajo që është e rëndësishme është që nuk qe një mbledhje për procesin e vizave, procesi i vizave vazhdon”, tha Beja. Ajo që do të zgjidhë këto luhatje në leximin e mesazheve të komunitetit ndërkombëtarë do të jetë fundi i negociatave, dështimi apo suksesi i të cilave duket se është përgjegjësi e përbashkët.
#