E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët: Gruevski provokon ndjenjat kombëtare

Reagim i ashpër ndaj vendosjeve të flamujve në Tetovë e Gostivar

Ka reaguar ashpër opinioni publik shqiptar ndaj vendosjes së dy flamujve të mëdhenj maqedonas në mes të qyteteve shqiptare Tetovë dhe Gostivar. Shoqëria civile shqiptare e ka quajtur veprimin tejet tinëzar, lidhur me vendosjen e flamurit shtetëror në hapësirat publike në vendbanimet shqiptare dhe kryesisht afër stacioneve policore, si në Tetovë, ashtu edhe në Gostivar.

Gjithë ky projekt po realizohet me një nismë të partisë VMRO-DPMNE-së dhe një ide e dalë nga Kryeministri Nikolla Gruevski. Kryetari i organizatës “Illyricum Libertas”, Valon Kurtishi, ka theksuar se e ka pranuar me habi dhe me pezmatim të thellë vendosjen e flamurit aktual shtetëror në hapësirat e brendshme të Stacioneve policore në Tetovë dhe Gostivar. “Ne e shohim këtë veprim të vendosjes së këtyre simboleve monoetnike gjigante, si një akt arrogant të organeve të caktuara maqedonase, që duke provokuar ndjenjat kombëtare të popullatës shumicë në këto dy qytete përpiqen të krijojnë tensione të panevojshme etnike në këtë pjesë të vendit”, ka theksuar Kurtishi, duke theksuar se ky flamur nuk pranohet nga populli shqiptar, për shkak të mospërmbajtjes së elementeve të identifikimit kombëtar shqiptar.

“Illyricum Libertas” kërkon që këto flamuj të vendosur të tërhiqen nga zonat shqiptare, për shkak se sipas tij, fyen popullsinë shqiptare dhe ndjenjat e tyre kombëtare. Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Europiane (OBRIE) thekson se flamuri shtetëror i Maqedonisë duhet të ketë edhe elemente, me të cilat do të identifikoheshin shqiptarët, sepse përbëjnë 1/3 e popullsisë në vend. Kjo shoqatë ka vlerësuar se autoritetet e komunave me shumicë shqiptare duhet të shqyrtojnë ngritjen e këtyre flamujve, pa miratimin e tyre si pushtet lokal. Komuna e Gostivarit ka theksuar se do të shqyrtohet vendosja e flamurit, sepse, sipas tyre, bëhet fjalë për një shtyllë e cilësuar si objekt i ngritur pa leje. Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës deri tani nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Të dielën u vendosën dy flamuj gjigantë në hapësirat qendrore të Tetovës dhe Gostivarit, një projekt i qeverisë, i nxitur nga VMRO-DPMNE.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›