E Martë, 3 Nëntor 2026

DOHA – Lavrov refuzon dislokimin e paqeruajtësve evropianë në Ukrainë, duke kundërshtuar Trump

MOSKË, 26 shkurt /ATSH-DPA/- Rusia refuzoi sot ngrirjen e vijës së frontit në Ukrainë në pozicionin e saj aktual dhe dislokimin e trupave paqeruajtëse evropiane në rajon, tha ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov.

Në fillim të kësaj jave, presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve se presidenti rus Vladimir Putin do të pranonte dislokimin e trupave evropiane në Ukrainë për të ruajtur paqen.

Lavrov tha se Rusia kishte kundërshtuar idenë e paraqitur se ekziston një vijë që ndan të dyja palët, me një pjesë ruse dhe tjetrën ukrainase.

“Kjo nuk do të ndodhë”, tha ai, gjatë një udhëtimi në Doha, kryeqyteti i Katarit.

“Kushtetuta ruse përcakton territorin e vendit dhe sipas kësaj, rajonet ukrainase të Luhansk, Donetsk, Zaporizhia dhe Kherson i përkasin Rusisë, edhe nëse trupat ruse nuk i kontrollojnë plotësisht ato”, tha Lavrov.

“Në pjesën tjetër të Ukrainës, “ligjet raciste” do të duhet të shfuqizohen”, tha ai, duke iu referuar diskriminimit të supozuar ndaj rusishtfolësve, ku përfshihet edhe presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky.

Ministri i Jashtëm hodhi poshtë gjithashtu idenë e Francës dhe vendeve të tjera për të dislokuar trupa paqeruajtëse nga Evropa në Ukrainë.

“Kjo synon të nxisë më tej konfliktin dhe të minojë të gjitha përpjekjet për ta qetësuar atë”, tha Lavrov.

Të hënën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke folur me presidentin francez Emmanuel Macron, i cili ndodhej në Uashington për bisedime, tha se Putin do të pajtohej me dislokimin e forcave paqeruajtëse evropiane për të siguruar një armëpushim të mundshëm në Ukrainë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›