E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

TEL AVIV – Arrihet marrëveshja Izrael-Hamas për fazën e bllokuar të armëpushimit

TEL AVIV/KAJRO, 26 shkurt /ATSH-DPA/- Organizata militante palestineze Hamas tha dje në mbrëmje se ka arritur një marrëveshje me Izraelin për lirimin e menjëhershëm të më shumë se 600 të burgosurve palestinezë nga Izraeli dhe kthimin e katër trupave të pengjeve izraelite nga Hamasi.

Marrëveshja synon të thyejë ngërçin që ka kërcënuar të prishë marrëveshjen e armëpushimit përpara se të përfundojë faza e parë e saj.

Hamasi tha se lirimi i planifikuar i të burgosurve palestinezë – i ndaluar nga Izraeli ditë më parë – do të bëhej tani së bashku me dorëzimin e trupave të pengjeve izraelitë.

Grupi nuk specifikoi se kur do të ndodhte shkëmbimi. Fillimisht nuk pati asnjë konfirmim zyrtar nga Izraeli.

Megjithatë, disa media izraelite, duke cituar zyrtarë izraelitë, konfirmuan marrëveshjen mes dy palëve ndërluftuese të shpallur nga Hamasi.

“Times of Israel”, duke cituar një zyrtar, raportoi se lirimi do të bëhej të mërkurën përmes Egjiptit

Të dielën, Izraeli ndaloi lirimin e të burgosurve palestinezë – të parashikuar në marrëveshjen e armëpushimit – duke deklaruar se Hamasi duhej së pari t’i jepte fund asaj që ai e përshkroi si “ceremoni poshtëruese” – gjatë lirimit të pengjeve izraelitë.

Pezullimi i shkëmbimit preku më shumë se 600 të burgosur palestinezë, të cilët do të liroheshin në këmbim të gjashtë pengjeve izraelitë.

Brigadat al-Nasser Salah al-Din aleate të Hamasit thanë se do të dorëzonin trupin e një 50-vjeçari izraelit të enjten – ndërsa mediet izraelite raportuan se dorëzimi ishte pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›