E Diel, 1 Nëntor 2026

DR-ja akuzon ministrin Bajrami se manipulon me çështjen e UÇK-së

Shkup, 21 gusht- Demokracia e Re (DR), e Imer Selmanit, ka reaguar të shtunën pas deklaratës një ditë më parë të ministrit të Punës Xhelal Bajrami, se statusi i ish -ushtarëve të Ushtrisë çlirimtare Kombëtare, do të zgjidhet brenda këtij mandati qeveritar.
Ministri Bajrami tha se statusi i ish-pjesëtarëve të UçK-së nuk përjashtohet mundësia të zgjidhet edhe dy vite, pra deri në fund të mandatit të koalicionit qeveritar. Sipas tij, për këtë problem tani po bisedohet në nivele të larta duke shpresuar në zgjidhje brenda mandatit të qeverisë.
Ndërkohë, sipas nënkryetarit të DR-së Abedin Zymberi me këtë deklaratë ministri Bajrami edhe njëherë ka manipuluar familjet e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës të vitit 2001.
“T’u rikujtojmë zotëri ministër se që në momentin që keni marrë pushtetin keni premtuar se shumë shpejtë do të zgjidhni çështjen e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës mirëpo na rrejtët. Më vonë keni thënë se për këtë çështje keni formuar komisione në kuadër të koalicionit, mirëpo ju demantuan partnerët e koalicionit dhe zëvendësministri juaj. Tani përsëri jeni duke premtuar, por e dimë se përsëri po mashtroni. Ju më tepër se çdokush i keni borxh kësaj kategorie t’ia zgjidhni problemin sepse në emër të tyre sot jeni ulur në kolltukët qeveritare dhe keni harruar se kush ju ka zgjedhur atje”, ka thënë Abedin Zymberi, nënkryetarë I DR-së.
“Deri më tani e kemi konstatuar se e keqja e shqiptarëve në Maqedoni është VMRO-DPMNE-ja, mirëpo me hapat e fundit të ministrave shqiptar dhe të BDI-së përfundimisht shqiptarët në Maqedoni kanë dy të këqija, edhe VMRO-DPMNE-në edhe BDI-në”, ka thënë më tej Zymberi.
“Nuk do të prononcohemi tani për afate, se kur këtë muaj tjetrin, apo muajin tjetër. çka është më kryesorja është duke u biseduar në nivele më të larta, është duke u biseduar shumë seriozisht për sa i përket kësaj çështjeje dhe ne shpresojmë se gjatë këtij mandati do të arrijmë që të mbyllim këtë çështje të hapur dhe shumë të ndjeshme”, ka thënë ministri Bajrami.
Ndryshe, ka ndodhur disa herë që ministri Bajrami të ndryshojë qëndrimin e tij për këtë çështje, duke thënë se ajo do të mbyllet këtë vit apo vitin tjetër.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›