E Shtunë, 31 Tetor 2026

DREJT INTEGRIMIT, ME SHOQERI CIVILE

Sot po duket se, më shumë se kurrë, integrimi është një çështje e shtruar këmbëkryq në axhendën europiane, e shqiptare po se po. Së fundmi, me zhvillimet që po pasojnë, thuhet se ka dritë në fund të tunelit, për aq kohë sa lidhet fati i Samitit të Lisbonës me rrugën pa pengesa të integrimit të Ballkanit Perëndimor. Për hir të së vërtetës nuk është krejt kështu.

Përmes vendimeve të Traktatit të Lisbonës, europianët kanë vendosur të merren me veten. Përgjatë një procesi historik, përpjekjesh e vullneti të përbashkët, ata kuptuan se shoqëritë e tyre, bashkë me mekanizmat që i bën të funksionojnë këto shoqëri zhvillimi, kanë ende nevojë të krijojnë përqasje më të konsoliduara rreth kulturave të integruara, identiteteve të afruara e bashkëjetesës së përbashkët.

Institucionet europiane kuptuan se, përtej çdo strategjie a vullneti politik, ekziston një fuqi e tërë, që ka në dorë ta çojë përpara ose ta stopojë këtë proces. Dhe ai është opinioni qytetar europian. Sepse vota "jo" e qytetarëve në disa referendume tregoi qartë se, pa pjesëmarrjen e tyre nuk mund të konsolidohet e të ketë jetë asnjë vendimmarrje.

Në këtë kontekst, Traktati i Lisbonës i jep vlerë dhe rëndësi të veçantë asaj që quhet qytetari europiane, e cila i shton pa dyshim diçka më tepër qytetarisë kombëtare.

Kjo optikë sjell në rendin e ditës të të gjithë aktorëve dhe faktorëve të ndodhur në një rresht apo përballë, këtë çështje të madhe, që parë në realitetin konkret, të paktën për vendet e Ballkanit Perëndimor, e veçanërisht për Shqipërinë, përbën në vetvete një emergjencë.

Në Shqipëri, me apo pa qëllim, shumë pak është folur e flitet, e aq më pak është analizuar roli i opinionit qytetar, shoqërisë civile dhe mekanizmave që e aftësojnë atë apo e bëjnë të mirëfunksionojë, siç janë organizatat joqeveritare apo ato jofitimprurëse.

Sa herë u referohemi viteve të para pas ndryshimit të sistemit, theksojmë boshllëkun që pasonte me nevojën dhe realizimin e pluralizmit në vend, duke u mjaftuar vetëm me krijimin e partive politike, e duke lënë në hije atë që duhet të ishte valvula e sistemit: formësimin e shoqërisë civile, si një ndër shtyllat garante të demokracisë.

Të ndodhur për gjysmë shekulli nën një sistem që ndrydhte dhe zhbënte ndërgjegjen e individit dhe të mbarë shoqërisë, shqiptarët në liri nuk e kuptuan si sfidë nevojën imediate të ringritjes së vlerave dhe të ndërgjegjësimit të një shoqërie, e cila duhet të merrte në dorë fatet e administrimit të së ardhmes së vendit. Kjo detyrë, ky mision iu la në dorë partive politike, të cilat, të brishta, të paorientuara, bartëse të ish-elitave, apo viktimave të tyre, "pushtuan" çdo hapësirë të lirë që sistemi ofronte dhe keqpërdorën veçanërisht lirinë ekonomike. Kjo solli një jetësim të deformuar të sistemit. Rritja dhe forcimi në çdo kuptim i klasës politike, nuk solli domosdoshmërisht dhe forcimin e shoqërisë civile, opinionit publik e qytetar.
Në këto kushte, organizatat joqeveritare apo jofitimprurëse si përfaqësuese të zërit qytetar, u zhvilluan si specie të varfëruara nën një klimë mbytëse e aspak favorizuese. Të ndodhura nën këtë presion në rritje, ato sot zgjedhin të funksionojnë brenda gardhit të tyre, përmes projektesh që nuk kanë fuqi për të zhvilluar një terren idesh e qëndrimesh që influencojnë, në mos gjithë realitetin, të paktën ndërgjegjen e kësaj shoqërie. Në gati dy dekada liri, zëri i organizuar qytetar, shoqëria civile ka zgjedhur të heshtë, duke ia dorëzuar misionin e saj të pazëvendësueshëm klasës politike, e cila e ka keqpërdorur, për të mos thënë dhe nënshtruar atë. Sot, politika në emër të pastrimit dhe rifreskimit po përdor burimet e shoqërisë civile për t‘i bërë një makijazh profilit të rënduar prej korrupsionit dhe kalbëzimit. Sot po kërkohet të manipulohet pikërisht opinioni përmes penelatave shumëngjyrëshe, të një pjesëmarrjeje artificiale dhe fiktive të shoqërisë civile, të cilat nuk fshehin dot gjithsesi udhëkryqin ku ndodhet demokracia në Shqipëri, e mbi të gjitha cenimin e sovranitetit të shtyllave që mbajnë në këmbë sistemin.

Momenti kërkon rizgjimin e ndërgjegjes shoqërore, e cila s‘mund të mbetet peng e klano-politikës. Nuk mund të heshtim deri në indiferencë e të lejojmë largimin e shoqërisë nga misioni i saj jetik dhe kapjen e saj nga mbistruktura, të cilat po kërkojnë të zotërojnë sistemin.

Dhe pa dyshim, në këtë rrugë, hendeqet që na ndajnë me Europën, do të bëhen edhe më të mëdha. Sepse ne nuk mund të bëhemi partnerë të integrimit pa vënë si kapital pasurinë më të madhe, të cilën që ta ofrojmë duhet ta kemi: ajo është qytetaria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›