E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kufiri me Greqinë" kërkon 71 vota, LSI përcaktuese

Marrëveshja për ndarjen e kufirit detar Shqipëri-Greqi mbetet në dorën dhe vullnetin e LSI-së për t‘u kthyer në ligj. E djathta është e pafuqishme për të miratuar e vetme draftin e përgatitur nga qeveria e kaluar, duke kërkuar edhe ndihmën e LSI-së. Megjithëse Kushtetuta lë hapësira të ndryshme interpretimi për faktin se sa kartonë "pro" kërkon ky projekt në Parlament. Juristët thonë se kjo marrëveshje duhet të marrë 71 vota "pro". Partia Demokratike dhe ajo Republikane kanë vetëm 69 vota në Kuvend, të cilat konsiderohen të pamjaftueshme për të kaluar vendimin më të debatuar për momentin, atë të përcaktimit të kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Katër votat e LSI-së janë përcaktuese për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare. Kushtetuta përcakton se marrëveshjet ratifikohen me ligj dhe kjo është e specifikuar qartësisht në nenin 121, ku shkruhet se "parimet dhe procedurat për ratifikimin dhe denoncimin e marrëveshjeve ndërkombëtare parashikohen me ligj". Konstitucionalistët interpretojnë nenin 121 të Kushtetutës për marrëveshjet ndërkombëtare, duke sqaruar se secila palë mund të bëjë pretendime të ndryshme, për shkak se në Kushtetutë nuk është e përcaktuar qartësisht se duhen 71 vota. Sipas tyre, Kuvendi është i vetmi institucion që mund të përcaktojë rëndësinë e këtij ratifikimi për të zgjidhur dilemën nëse projekti do të kërkojë shumicën e 71 deputetëve të detyrueshëm në Kuvend apo shumicën e deputetëve në total të Kuvendit për t‘u kthyer në ligj. Ana tjetër e medaljes, e cila pritet të sjellë përplasje interpretimesh ligjore, është neni 78 i Kushtetutës, i cili kërkon shumicë të thjeshtë votash. Neni 78 përcakton se Kuvendi ka të drejtë të vendosë me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar. Në pikën dy citohet se "mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur sipas rregullores nuk sjellin asnjë pasojë". Konstitucionalistja Aurela Anastasi thekson se neni 121 sqaron se çfarë duhet të bëjë Kuvendi për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Anastasi shprehet se është Parlamenti ai që përcakton qartësisht sesa rëndësi ka kjo marrëveshje dhe me sa vota duhet të miratohet në sallën e Kuvendit. Sipas këtij neni, ratifikimi dhe denoncimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Republika e Shqipërisë bëhet me ligj në rastet kur ato kanë të bëjnë me territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake. Pra, është përcaktuar që ratifikimi i marrëveshjeve bëhet me ligj në Kuvend dhe kjo përcakton edhe miratimin, ndryshimin, plotësimin dhe shfuqizimin e ligjeve. Në pikën dy të këtij neni është përcaktuar se Kuvendi me shumicën e të gjithë anëtarëve mund të ratifikojë edhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare, që nuk parashikohen në paragrafin e parë të nenit 121. Ky nuk është një ligj që kërkon tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, pasi nuk bën pjesë në asnjë nga pikat e paraqitura në pikën dy të nenit 81, ku hyjnë ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta.

E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›