E Diel, 1 Nëntor 2026

DREJT VARFERISE DHE PABARAZISE

Bota po përjeton pa dyshim
momentin e hyrjes në një fazë
të ndryshimit historik të saj,
drejt hipermodernizmit. Ky
ndryshim nuk është thjesht ekonomik,
social, kulturor, por edhe teknologjik,
politik e gjeopolitik. Madje, në thelbin
e këtij ndryshimi qëndron teknologjia
e informacionit, e cila e ka bërë botën
globale në tregje dhe kapitalizmin,
sikundër e quan M. Castells, një "kapitalizëm
informacional", i mbështetur në
teknologjinë e informimit dhe komunikimit.
Por është ky moment që ka nxjerrë
në dukje me dhjetëra probleme, e që
duket se duan jo vetëm shumë debat,
por dhe kohë, për t‘u trajtuar e zgjidhur.
Problemi thelbësor mbetet po ai i trajtuar
disa qindra vjet më parë, kur kapitalizmi
po trokiste në dyert e ekonomisë
botërore, si një mënyrë e re e organizmit
të shoqërisë drejt progresit: A do të zhduket
varfëria dhe uria në botë? Me pak
fjalë, a do të kemi një botë, ku pabarazia
të vijë drejt zhdukjes? Shumë janë skeptikë.
Globalizimi vërtet u përgatit nga
zhvillimi i kapitalizmit dhe nevojave të
tij, por u realizua nga informatizimi, nga
teknologjia e informacionit. Kjo do të
thotë se ato vende, por edhe ata individë
të përfshirë në njohjen dhe përdorimin
e teknologjisë së informacionit, kanë
më shumë shanse për të rritur mirëqenien
e tyre. Të tjerët, që nuk mund ta
rrokin këtë mundësi për njëmijë arsye,
janë të detyruar të përjashtohen ose
vetëpërjashtohen nga ky zhvillim, duke
mbetur në nivelin e varfërisë (varfëria
është niveli i të ardhurave, që një shoqëri
e quan si të domosdoshme, për të jetuar
një lloj standardi të pranueshëm).
Sot tendenca e varfërisë në botë është
drejt ngjitjes. Dikush nga lexuesit mund
të nxitojë e ta konsiderojë këtë konkluzion
një lajthitje, duke treguar shembuj
nga Kina apo India, ku varfëria është
ulur ndjeshëm në përqindjen e saj. Por
e vërteta është se varfëria në botë është
në evolucion. Përqindja e të varfërve,
në shumicën e vendeve të botës, është
në rritje. Nga ana tjetër, edhe numri i
personave që varfërohen në pothuaj
të gjitha vendet është në rritje. Dhe
varfëria ekstreme, d.m.th. individët që
jetojnë me 50% të të ardhurave të nivelit
të varfërisë, janë në rritje. Të gjitha këto
tregojnë se pabarazia dhe varfëria në
botë nuk vijnë drejt zvogëlimit, por drejt
thellimit (sot vetëm pasuria individuale
e një individi është 385 miliardë USD,
shumë kjo më e madhe se të ardhurat
vjetore të vendeve që kanë 45% të popullsisë
së botës). E, në vendet e zhvilluara,
ku niveli i varfërisë është më i ulët se
në vende të tjera, sërish pabarazia vjen
duke u thelluar.
Pa hyrë në analizë të detajuar, kjo
është pak a shumë tabloja e sotme e botës.
Perspektiva e globalizimit, e lidhur
ngushtë me teknologjinë e informacionit,
e bën edhe me të dyshimtë zbutjen
e pabarazisë dhe varfërisë. Po Shqipëria?
Cili është vendi ynë në këtë sistem? Po e
ardhmja? Janë pyetje, që secili ia bën vetes,
në këtë fushatë elektorale, ku duhet
të mendohemi mirë për të ardhmen
tonë e të familjes sonë. Cili është vendi
i Shqipërisë në këtë proces globalizues?
A ka mundur vendi ynë të kapë shansin
e zhvillimit? Janë dy pyetje që kanë të
bëjnë me dy anë të së njëjtës medalje,
por që nuk janë kurrsesi të njëjta.
Që Shqipëria është larg proceseve
të globalizimit këtë e tregojnë shumë
indikatorë, që përcaktojnë kapitalizmin
primitiv shqiptar. Dhe rritja ekonomike
në vendin tonë, në një kohë krize botërore,
është një tregues i tillë. Por kjo
nuk është domosdoshmërisht një gjë e
"mirë". Përkundrazi, të qenit në periferi
të sistemit global, bën që kapitalizmi ynë
lokal shqiptar, të jetë jo tërheqës për investitorët
globalë, pra dhe të mos mund
ta inkuadrojë kapitalizmin shqiptar në
sistemin botëror të zhvillimit të tregut.
Cilat janë shkaqet? Edhe këtu do të
lipsej një analizë e hollësishme, por
në vija të përgjithshme do të thosha se
politikat tona ekonomike, spontane dhe
pa asnjë plan zhvillimi afatgjatë, janë
pa dyshim shkaqet kryesore. Paqartësia
në pronësi dhe të gjitha problemet
që lindin prej saj, janë një tjetër faktor.
Tregu shqiptar, i vogël dhe i mbyllur, pavarësisht
aderimit në OBT, nuk përbën
ndonjë objektiv tërheqës për kompanitë
multinacionale (ndoshta krijimi i një
tregu të hapur Shqipëri-Kosovë, e më tej,
edhe me të gjitha trevat shqiptare, mund
të jetë një hap i rëndësishëm).
Të qenit larg proceseve globalizuese
janë një arsye madhore që kapitalizmi
në Shqipëri të vazhdojë të mbajë në
nivelin e lartë përqindjen e varfërisë
dhe gjithashtu të shtojë premisat për
rritjen e saj. Por çfarë kemi në dorë ne
për të bërë? Politika ka në dorë, madje
ka shumë. Ajo duhet të ndërtojë një
strategji afatshkurtër dhe afatgjatë, që
ta integrojë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit
të kapitalizmit botëror.
Por sikundër thamë në fillim të
këtij shkrimi, globalizimi nuk mund të
realizohet pa teknologjinë e informacionit.
Pra, edhe sikur të gjitha të tjerat
(prona, tregu, politikat ekonomike) të
plotësonin standardet e kohës, ka një
analizë që na detyron të mendojmë se
kapitalizmi shqiptar, kështu sikundër
paraqitet, do të vazhdojë të thellojë varfërinë.
Shkaku është paaftësia e kapaciteteve
për t‘iu përshtatur teknologjisë
së informacionit. Teoria "Shqipëria
në moshën e internetit" është thjesht
dhe vetëm një slogan demagogjik, një
slogan që na ndihmon të kuptojmë
sa e nevojshme është njohja e kësaj
teknologjie për të "kapur" momentin e
për t‘iu bashkëngjitur vendeve, popujve
dhe individëve që do të përfitojnë nga
globalizimi i kapitalizmit informacional.
Por me keqardhje them se jemi
shumë larg. Madje, më shumë nga sa
mund ta mendojmë!
Tregu i sotëm është treg dijesh.
Pikërisht, në këtë pikë ne çalojmë si
asnjëherë tjetër. Sistemi ynë arsimor
as që e ka ndërmend t‘i hyjë pikërisht
aftësimit për të mos u përjashtuar nga
rrjeti gjigant i globalizimit, nga kapitalizimi
global. Reformat e njëpasnjëshme
e kanë dobësuar arsimin shqiptar dhe
i kanë fryrë edhe më shumë idesë së
"kartonit diplomë" sesa dijes reale dhe
cilësisë profesionale. Ky sistem arsimor
i dobët është një arsye tjetër madhore
që na detyron të pranojmë se varfëria
te ne do të vijë në rritje e jo në zbutje.
Përjashtimi social do të vazhdojë të jetë
i pranishëm në një nivel të lartë. Kapitalizmi
që na rrethon, që edhe kështu
ka pabarazinë e vet dhe egërsinë në
shfrytëzim, sërish do të na përjashtojë
nga rrjeti i tij, për të na lënë në varfërinë
tonë, që mund të shndërrohet edhe në
një përqindje të konsiderueshme në
varfëri ekstreme. Çdo parti politike, që
në programin e saj ka përcaktuar së pari
si objektiv arsimin me përshtashmërinë
e tij drejt tregut global, me cilësinë dhe
aftësinë profesionale, meriton të ketë
votën tonë, sepse më së paku kemi një
mundësi për të shpresuar se, në një të
ardhme, varfërinë do ta kemi zbutur të
paktën aq sa e lejon sistemi. Ta fillojmë
së paku nga "A"-ja për të kapur dhe ne
shansin e ndryshimit të madh historik
të kapitalizmit botëror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›