E Shtunë, 31 Tetor 2026

DSS: BE tregoi se e njeh pavarësinë e Kosovës

(E plotësuar) Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Serbisë Petar Petkoviq tha se Prania e Komisionarit për Zgjerim të Bashkimit Evropian Stefan Fyle sot në Prishtinë në ceremoninë e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës tregon se Bashkimi Evropian tashmë e ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur.

“Ardhja e Fyles në Prishtinë tregon qartë se për BE-në Kosova është shtet i pavarur ‘’tha zëdhënësi i partisë së Vojsllav Koshtunicës, transmeton Indeksonline

Kacin: Prishtina merr përgjegjësi shtesë

Me rastin e takimit të sotëm të Grupit Drejtues Ndërkombëtar gjatë të cilit pritet të merret vendimit për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, nënkryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Jelko Kacin ka thënë se Prishtina sot merr përgjegjësi shtesë për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Ky është një hap të cilin ne e përshëndesim, por edhe moment kur duhet të përkujtojmë edhe sa rrugë duhet të kalojë Kosovë që të mund të jetësojë sundimin e vërtetë të ligjit. EULEX-i dhe KFOR-i mbesin në teren që t’i ndihmojë institucionet në Prishtinë, por përgjegjësia e Qeverisë së Kosovës për aplikim të sundimit të ligjit janë më të mëdha se sa në kohën e kaluar. Të drejtat e qytetare dhe të njeriut duhet të jenë të garantuara për të gjithë banorët e Kosovës, posaçërisht në rastin e pakicave dhe të kthyerve serb”, ka thënë ai.

Sipas tij, liderët e Kosovë duhet të tregojnë guxim politik dhe përgjegjësi duke rritur përpjekjet për afrim kah bashkësia serbe në veri të Kosovës. “Prishtina, si edhe deri më tani, do ta ketë mbështetjen e plotë të institucioneve të BE-së që të vazhdojë me reformat evropiane, forcimin e institucioneve të pavarura dhe politikën e marrëdhënieve të mira me fqinjët. Rritja e ekonomisë dhe vendet e reja të punës drejtpërdrejtë janë të ndërlidhura nga suksesi në këtë fushë”, ka thënë ai duke shtuar se përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovë vjen në kohën kur Serbia sërish aktivisht merr pjesë në takimet rajonale dhe se para Serbisë dhe Kosovës tani shfaqen sfida të reja të cilat kërkojnë prani proaktive dhe shikim kah e ardhmja evropiane dhe jo kah konfliktet e të kaluarës.

Gordon: SHBA mbështet përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur

Qeveria amerikane në disa deklarime të saj përmes zyrtarëve të lartë ka mbështetur vendimin për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur. Ky hap është konsideruar si një maturim i Kosovës për të vazhduar rrugën e saj të mëvetësishme dhe njëkohësisht një votëbesim i komunitetit ndërkombëtarë për Kosovën dhe institucionet e saj shtetërore e demokratike....

“SHBA mendojnë se Kosova është e gatshme për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur. Kosova ka bërë shumë përparime në katër vjetët e pavarësisë së saj. Tani ne duam të vazhdojmë të punojmë me ta dhe kjo nënkupton mbrojtjen absolute të të drejtave të gjithë qytetarëve,” deklaroi në korrik të këtij viti, ndihmësekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon.

SHBA gjithashtu kanë nënvizuar se ‘mbështesin aspiratat evropiane të Kosovës,’ ndërkaq në këtë rrugëtim integrues Washingtoni vë theksin edhe në integrimet e brendshme në Kosovë, në gjithë hapësirën e territorit të saj. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur ‘shtrirjen e dorës nga ana e autoriteteve në Prishtinë qytetarëve të Kosovës në veri’ që është quajtur ‘një veprim thelbësorë për siguruar të gjithë qytetarët e vendit se ata janë të sigurt në shtetin e Kosovës.’

Mbështetja e fundit nga zyrtarët amerikanë për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur erdhi në seancën e 21 gushtit mbi Kosovën në Këshillin e Sigurimit, me ç’rast Rosemary DiCarlo, njëra nga ambasaoret amerikane në Kombet e Bashkuara në fjalën e saj tha se Washingtoni mbështeste plotësisht Grupin Drejtues Ndërkombëtar që ka njohur përparimet e arritura në Kosovë.

Duke përcjellë urimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga selia e organizatës botërore, ambasadorja DiCarlo tha se ‘vendimi për t''i dhënë fund pavarësisë së mbikqyrur është një votëbesim ndaj përkushtimit të Kosovës dhe aftësisë për të ndërtuar një shtet shumetnik dhe demokratik.’ (RTK)

Reeker: Tash do të përqendrohemi më shumë ndaj Kosovës

Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës dhe zyrtarët e institucioneve për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, ndërkohë ka shtuar se pas këtij procesi, Kosovës i shtohen obligimet më shumë për thellimin e reformave dhe sfidave të tjera. Ai ka ripërsëritur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin pavarësinë e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial.

Ai këto komente i bëri të hënën, pas një takimi të zhvilluar me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili pritet të ketë takime të shumta me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.

Zyrtari i lartë amerikan, ka thënë se përfundimi i këtij procesi është vërtetim i të arriturave dhe përparimit të Kosovës.

“Jam me ambasadoren Jacobson, derisa shfrytëzoj rastin t’i përgëzojmë të gjithë kosovarët urime, urime, për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, që është vetëm një vërtetim i të arriturave të Kosovës dhe përparimit si dhe një votë e mirëbesimit për të ardhmen e saj si vend multietnik, i përbashkët dhe demokratik. Shtetet e Bashkuara e mbështesin sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës dhe rrugën e integrimeve në BE”, ka thënë Reeker.

Gjithashtu, ai ka thënë se pas vizitës në Kosovë do të shkojë në Bruksel, për të përgatitur dialogun që do të zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu ai ka thënë se përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë shënon vetëm fundin e kompetencave ekzekutive të faktorit ndërkombëtar sipas planit të Ahtisarit, por nuk është fundi i angazhimit më të fortë dhe ndihmës ndërkombëtare, duke përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara.

“Përqendrimi ndërkombëtar mbi Kosovën vetëm do të rritet tash e tutje dhe përderisa Kosova punën në periudhën pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, do të përqendrohej për të arritur shumë reforma të vështira edhe pse të domosdoshme. Keni sfida të ndryshme, sepse ky është një kapitull i ri, ku jep mundësi të reja dhe Shtetet e Bashkuara janë partnere krenare e Kosovës, përderisa Kosova po merr këto hapat në ditët dhe muajt e ardhshëm si shtet i plotë, i pavarur dhe mirëpresim angazhimin për të mbështetur Kosovë në ekonominë dhe në tërheqjen e investitorëve në sektorin privat, dhe që të ketë mundësi që të ndërtojë një shoqëri të fortë shumë demokratike, në rrugën e vet drejt Evropës”, ka theksuar Reeker.

Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan, ka thënë se Serbia dhe Kosova të ardhmen e tyre e kanë në integrimet evropiane dhe secili vend ka arritur deri tash duke i normalizuar marrëdhëniet e tyre.

Ai me partnerët evropian e ka mbështetur dialogun, pasi që siç ka thënë, është rruga e duhur dhe e domosdoshme për të ecur përpara.

Nga ana tjetër, kryeministri Hashim Thaçi ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për këtë ditë të rëndësishme, me rastin përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Gjithashtu ai ka falënderuar ambasadën amerikane, Philip Reekerin, sekretaren Clinton dhe Presidentin Obama, për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës.

Kryeministri Thaçi ka informuar zyrtarin amerikan për të arriturat e Kosovës gjatë këtyre viteve, si dhe për normalizimin e marrëdhënieve me vendet fqinje.

Ne biseduam me ambasadorin Reeker për progresin në Kosovë, për vlerësimin ndërkombëtar për këtë ngjarje madhore, për qytetarët e vendit, për këtë rrugëtim të përbashkët, për implementimin e plotë të presidentit Ahtisari, për integrimin e gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës, duke ushtruar autoritetin në gjithë territorin e vendit tonë, për përkushtimin tonë për fqinjësi të mirë me të gjithë, fqinjësi të mirë edhe me Serbinë, për normalizimin marrëdhënieve ndërshtetërore, gjithashtu e informova ambasadorin Reeker edhe për zotimin tonë, qëllimin tonë, vizionin tonë të politikës kosovare, për t’u integruar në NATO dhe Bashkim Evropian. Ndërsa diskutuam edhe për sfidat që Kosova do t’i ketë në të ardhmen”, ka thënë kryeministri.

Por sipas tij e rëndësishme është që shteti i Kosovës po konsolidohet, po forcohet si një shtet i respektuar prej botës demokratike dhe marrëdhënieve të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ditës së sotme kryeministri, Thaçi do të ketë takime të shumta me mysafir të shumtë që kanë ardhur nga vendet e ndryshme të botës, me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë.

Nga sot pa mbikëqyrje

Republikës së Kosovës nga sot do t’i hiqet mbikëqyrja e Pavarësisë, e shpallur më 17 shkurt 2008. Ky vendim do të merret pas një mbledhje të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, që do të mbahet në mesditën e sotme në Ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Pas përfundimit të takimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, në Kuvendin e Kosovës do të mbahet një seancë solemne, ku veç Presidentes Jahjaga dhe kryeministrit Thaçi, fjalë rasti do të mbajnë edhe treshja ndërkombëtare që ishte angazhuar në zgjedhjen e statusit të Kosovës, kryenegociatori Martti Ahtisaari, përfaqësuesi i SHBA-ve, Frank Wisner dhe përfaqësuesi i B-së, Wolfgang Ischinger. Po ashtu do të flas edhe zëvendëskancelari i Austrisë, Michael Spindelegger.

Për të shënuar përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, në Kosovë do të qëndrojnë rreth 36 delegacione të shteteve të botës, ndërsa më 10 dhe 11 shtator do të ketë organizime të ndryshme, për të shënuar përfundimin e mbikëqyrjes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›