DUBLIN – Kryeministri irlandez: Bisedimet e paqes në Ukrainë nuk do të funksionojnë pa Evropën

DUBLIN, 18 shkurt /ATSH-DPA/- Kryeministri i Irlandës, Micheal Martin tha se bisedimet e paqes në Ukrainë nuk do të funksionojnë pa përfshirjen e Evropës – dhe se Ukraina duhet të ishte “në zemër” të çdo marrëveshjeje.
Martin tha se vendet evropiane ishin të shqetësuara për drejtimin e konfliktit ndërsa zyrtarët amerikanë dhe rusë u takuan sot në Arabinë Saudite për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.
Zyrtarët ukrainas nuk ishin të ftuar në takimin e Riadit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se vendi i tij nuk do të pranonte asnjë marrëveshje të negociuar pa Ukrainën prezente.
Martin tha sot se ishte “shumë herët” për të diskutuar nëse trupat paqeruajtëse irlandeze mund të dislokoheshin në Ukrainë.
“Për mendimin tim, Evropa do të duhet të jetë në bisedime – pasi një marrëveshje paqeje nuk do të funksiononte pa pjesëmarrjen evropiane”, tha Martin duke folur përpara një takimi të kabinetit.
“Pika themelore në çdo marrëveshje paqeje është se ajo duhet të jetë e qëndrueshme. Që kjo të ndodhë, duhet të ketë garanci sigurie për Ukrainën dhe siguri se kjo marrëveshje nuk do të jetë vetëm një marrëveshje e përkohshme dhe se Rusia nuk do të vazhdojë me agresionin e saj”, shtoi ai. //a.i/.