POLONI – Duda: SHBA-ja nuk ka qëllim të reduktojë trupat e saj në Evropë

VARSHAVË, 18 shkurt /ATSH-DPA/- Pas një takimi me të dërguarin special të SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg sot në Varshavë, presidenti polak Andrzej Duda tha se nuk pret që SHBA-ja të reduktojë trupat e saj në Evropë ose t’i tërheqë të gjitha së bashku.
“Nuk ka asnjë indikacion që SHBA-ja do të tërhiqet nga Evropa”, tha Duda.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth premtoi javën e kaluar se do të kishte një rritje të trupave amerikane në Poloni së shpejti.
“Nuk ka absolutisht asnjë qëllim nga SHBA-ja për të reduktuar aktivitetet e saj të sigurisë në Evropë apo numrin e trupave amerikane”, tha Duda duke iu referuar krahut lindor të NATO-s dhe Polonisë.
Kërkesa e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen nga shtetet e tjera të NATO-s dhe sulmi i zëvendëspresidentit smerikan, J.D. Vance ndaj demokracive evropiane në Konferencën e Sigurisë në Mynih kanë nxitur frikën në Evropë se Uashingtoni mund të tërheqë trupat nga kontinenti.
Javën e kaluar, gjatë një vizite në Shtutgart – Hegseth tha se nuk kishte plane të menjëhershme për të reduktuar numrin e trupave në Evropë, por ai tha se ishte një marrëveshje ku do të rishqyrtohej dislokimi i forcave amerikane në mbarë botën.
Sipas Komandës Evropiane të SHBA-së (Eucom), rreth 78 000 ushtarë amerikanë janë të stacionuar në Evropë, duke përfshirë rreth 37 000 në Gjermani dhe rreth 10 000 në Poloni me rotacion.
Kellogg vizitoi sot Poloninë përpara udhëtimit të tij në Kiev. Ai do të takohet nesër me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe ministrin e Mbrojtjes Rustem Yumerov. //a.i/