E Shtunë, 31 Tetor 2026

DUÇE DHE QERSHI

Edison Ypi 

Gjithkujt që udhëton Tiranë-Elbasan nga Krraba, peizazhi i thyer në Lindje i duket si Nepali, ndërsa malësia e Rrogozhinës në Perëndim me katunde të vegjël e të largët të strukur nëpër gryka luginash, si Kina Veriore. Sepse ajo rrugë, si rrugë ushtarake ndërtuar për qëllime pushtuese, kalon e tëra majë malit pa prekur pothuaj asnjë fshat në tërë gjatësinë e saj.
Fatkeqësisht, të tilla, pra rrugë lufte, që pak lidhje kanë me njerzillëkun, katundet dhe përgjithësisht civilizimin, janë shumica e rrugëve tona, të cilat pothuaj të tëra kalojnë majave. Madje me rrugët tona shpesh ndodh edhe që, nëse nuk kalojnë tepër lart, kalojnë tepër poshtë, fare pranë rrjedhës së lumenjve, ku jo rrallë ndodh që vjen koha të zhvendosen diku më lart sepse i mbyt hidrocentrali që do ndërtohet.
Ama njëra prej këtyre rrugëve si e tillë, pra jo për njerëz por për luftë, kapërcen çdo përfytyrim.
Janë të njohura pamjet e vjetra filmike që tregojnë rropatjet e ushtrisë italiane nëpër dimër, dëborë, baltë dhe suferinë, me mushka dhe topa gjatë përpjekjeve me ushtrinë greke në jug gjatë dimër-pranverë 1940-1941.
Pse Italia e sulmoi Greqinë nga malet dhe jo nga bregdeti, nga ndonjë fushë a luginë, sikur Italia dhe Greqia të mos ishin shtete por individë që në ato maja kishin lënë duel ?!
Kjo dhe të tjera pyetje si kjo të shpien vetvetiu tek rruga ku ndoshta ka përgjigje.
Rruga Berat-Këlcyrë ekziston dhe është e kalueshme. Është konceptuar në fillim të shekullit të kaluar si rrugë qerresh. E zgjeroi e ndreqi dhe e shtroi me kalldrëm Duçja në vigjilje të ofensivës me Greqinë.
Kjo rrugë nis në lagjen Goricë të Beratit dhe merr menjëherë drejt jugut mbi shpatullën lindore të malit. Prej aty e pothuaj deri në Këlcyrë dominohet e tëra nga pamja e Babait të jugut të Shqipërisë, Tomorrit. Kilometrat e para janë të shtruara me një ish-asfalt, të cilit i kanë mbetur vetëm gjurmët. Më tutje, rruga nuk është e keqe, por duke ndjekur me besnikëri relievin edhe pas çdo bregu apo gunge mali sado të vogël, ka shumë dredha. Aq shumë sa të bëjnë vërtet nervoz. Nja dhjetë kilometrat e para majtas e djathtas dhe në thellësi ka plantacione qershish. Shtëpi të rralla nga dy nga tre aty këtu. Nuk ka biznese, as furnizues me karburant, asgjë. Madje s’ka as nga të kudondodhurat kafene, çka tregon se kjo aventurë në thellësi nuk mund të jetë veçse e shkretë dhe e trishtë. Një furgoni plot pluhur me targë italiane, megjithëse i bëj shenjë nuk ndalon, shoferi bën sikur s’sheh. Pak pas tij ndalon një Land Rover. Gjermani i Roverit me një anglishte me më tepër gropa se rruga, thotë se ka qenë jo më larg se nja dhjetë kilometra prej aty, dhe shton se kjo rrugë nuk është veçse një “Third hand road”, pra, sipas tij, një rrugë pa rrugë, çka nuk rezultoi fort e vërtetë. Gjermani përshëndet me një shkelje të padeshifrueshme të syrit dhe ikën. Ndërkohë, janë shpeshtuar shenjat e kalldrëmit me gurë të zinj mbi të cilin kanë kaluar mushkat dhe topat e Duçes për të mësyrë Greqinë. Pas nja njëzet kilometrash qershitë rrallohen. Por shenjat e kalldrëmit fashist, një herë e një kohë fare të rregullt, me breza gurësh të mëdhenj anash dhe në mes të rrugës, janë prezente kudo. Në një qafë të lartë, Teqe. Nuk e mësova dot si quhej ajo Teqe. Mbi derën e mbyllur të Teqesë, rrethuar me një kornizë të praruar, portreti dhe një thënie e urtë e Haxhi Bektash Veli mbi dijen dhe dashurinë. Rretherrotull asnjeri. Në oborrin e Teqesë, varre dhe gjurmë zjarri, sa duket për të pjekur kurbane. Para se të thereshin, nga frika e therjes, kurbanet, me pëgërjet e tyre, kanë ndotur rrëzat e varreve.
Dy të moshuar burrë e grua, banorë të një fshati të largët që mezi duket teposhtë në luginë, presin makinë për të zbritur në Berat. Nuk e kuptova cilën makinë prisnin ata të mjerë. Sepse prej aty e deri në Ballaban afër Këlcyrës, e vetmja makinë që zbriste tatëpjetë ishte makina e Policisë me nja katër a pesë policë brenda, shefi i të cilëve guxoi të më tallte duke më thënë se kjo rrugë nuk merret vetëm por me një femër.
Lapidar ! Si pothuaj të gjithë lapidarët e këtyre anëve, edhe ky lapidar pllakë ka, por mbishkrimi është pothuaj i palexueshëm sepse i zhgarravitur keqas. Megjithatë me vështirësi lexoj se: “Në këto qafa (po ku pikërisht, se këtu qafat janë me mijëra, këtu vetëm qafa ka) partizanët e brigadës së shtatë dhe populli luftuan trimërisht dhe shpartalluan disa herë (sa herë?!) forcat gjermano balliste (po ballistët a ishin popull?). Po këtu më 23 dhjetor 1945 ra heroi i popullit Ajet Xhindole”. Mirë tërë këto heroizma dhe shpartallime, por si quhet qafa ?! Për këtë duhet pritur një bari pa kope’ që po zbret më nge’. Bariu thotë se qafa quhet “Qafa e kumbullave”. Çudi, sepse këtu qafë dhe qafa ka plot, madje edhe qershi, por kumbulla asnjë !
Mbi rrugë bokërima të pafundme malore. Poshtë në luginë, afër dhe larg, fshatra të shumtë. Baba Tomorri dhe mbeturinat e kalldrëmit të Duçes nuk i ndahen rrugës për asnjë çast. Teposhtë nën rrugë, megjithëse më pak, ka ende qershi. Frymë njeriu ! Rruga shkon rrëzë një monopati të pafund. Kope’ me dhi’ me brirë të mëdhenj dhe cjepër me këmborë. Ja dhe bariu ! Ku e ke gunën, festen, fyellin, o bari’ ?! e pyes. Qesh bariu që hedhur mbi sup mban një çantë të vogël me zinxhir. Fshati i këtij bariu është atje tej ku mezi duket. Ka qenë në Greqi, por u mërzit dhe u kthye. Janë bektashinj. Rrojnë me blegtori dhe pak bujqësi. Bariu i qeshur s’di të thotë më shumë, as si e kishte emrin teqeja që lashë pas. Për më tepër nga nguti që, ndërkohë që flet, i ikin nga sytë dhitë. Por e gjen zgjidhjen. Kërkon leje të hipë në makinë. Nja dy kilometra më tutje anës rrugës ka lënë motoçikletën. Thotë se do marrë motorin do zbresë në luginë me motor për të pritur dhitë që kanë zbritur poshtë. Ciao o kauboj me motor, je i hatashëm, kurrë mos u kthe më në Greqi !
Rruga kalon mes fshatit Tërpan. Në Tërpan, ku sipas bariut të dhive duhej të kishte ujë për t’u freskuar dhe ndonjë fasule a pilaf, xhan-xhin, asnjë frymë njeriu. Mbase aty ishin por s’u duk asnjë. Edhe Qëndra Shëndetësore, edhe disa shtëpi, edhe nja dy si dyqane, bosh edhe ato. Por në Tërpan ka një pyll me pisha ! Pishat e Tërpanit kanë një aromë aq dehëse sa s’rrëfehet dot me fjalë, dhe mëndja të vete të rrish aty edhe nja njëqind vjet, pastaj të shohësh e të bësh, të kthehesh në tymrat e qyteteve apo aty ta ngrysësh të gjithën.
Duke hipur e zbritur nëpër këto qafa e këto dredha bie në sy një gjë; Kurrkush nuk preferon ta ndjekë rrugën e Duçes! Ku rruga e Duçes ngjitet apo zbret, gjithçka e gjallë, banorë të rrallë, bagëtitë, mor edhe zogjtë, mor po edhe vet’ era, zhvendosen horizontalisht, dhe ku rruga e Duçes ikën më të sheshtë, gjithçka tjetër, ngjitet a zbret!
Diku anës rrugës një burim. I ndrequr burimi, me mur betoni me tub metalik. Por halli se currili i ujit të sylinarit nuk është më i trashë se 1 milimetër. Dhe për më tepër shija e ujit është e keqe, apo shkurt, ai ujë s’pihet.
Rruga vetëm ngjitet me kthesa të shumta. Në një nga kthesat e kësaj ngjitje, pamje rrënqethëse epike! Plakë jugu Shqipërie! Veshur me të zeza, shamia në kokë lidhur me atë nyjën karakteristike. E rreshkur, e drejtë, e fortë, me gojën mbyllur, kokën paksa lart, plaka sheh makinën dhe ngadalëson hapat. Si quhet ky vend o nëne ? Çorogjaf ! Si të quajnë ? Oiiiiiiiiiiii unë jam nënë pa djem ! Dhe ngre kokën nga qielli plaka e jugut. Dhe vazhdon: M’i vranë të dy djemtë në Vlorë më 1997. M’i lanë nuset kallogre dhe fëmijët e tyre jetimë! Plakun e kam qorr në qoshe në vatër prej pesëmbëdhjetë vitesh. Po iki or bir të kërkoj lopën se më ka humbur lopa.
Pak më lart qendra e fshatit Çorogjaf. Aty, mbi një si shesh të blertë ndodhi diçka e pashpjegueshme. Një Golf me njerëz brenda diku në atë shesh. Un’ u thërras, ata hiç ! Un’ i afrohem, Golfi largohet ! Kjo ndodhi disa herë. Por më së fundi një djalë i ri del nga Golfi. Nuk e pyes fare për misterin e mospërgjigjes dhe zhvendosjes simetrike, bëj pak muhabet, i them që nusja e dajës tim është nga ky fshat, ai bën sikur këtë e di pasi ia kanë thënë të vjetrit, dhe ikën.
“Tre avgatë” greqisht, apo shqip “tre vezët”, janë tre male jo fort të vegjël afër njëri-tjetrit që dalin si vezë mbi dhe’. Po kaloj nën njërën nga këto tre vezë, atë më të lartën me ca antena sipër. Këtu gjelbërimi shtohet befas. Rruga kalon mes fshatit. Nën një thanë tre fëmijë. Fëmijët hanë thana. Dy prej tyre mbajnë në duar nga një misër të pjekur. Si quhet ky fshat o fëmijë? Gllavë! Sa vjeç jeni ? Përgjigjen me radhë; 7, 8, 9. Jeni të Edi Ramës apo të Sali Berishës ?! Menjëherë ngrenë duar dhe gishta përpjetë ! Përgjigjet i madhi, 9-vjeçari; jemi të Sali Berishës ! Pse jeni të Sali Berishës ?! Sepse Sali Berisha bën rrugë ! Kjo përgjigje më la pa frymë ! Një pohim i tillë këtu ?! Këtu ku nuk ka as rrugë tamam por vetëm copa kalldrëmi Duçeje ! Këtu ku, si doli më pas, asfalti më i afërt prej kësaj humbëtire është jo më pak se dyzet kilometra larg ! Këtu ku s’arrin asnjë propagandë sepse s’ka as gazetë as televizor, dhe ku kënaqësia e të pasurit rrugë mund të shijohet vetëm nëpër ëndrra ?!
Fshati Buz...
Mund të thotë dikush; Ja ku na doli se rruga e Duçes paska lidhur fshatra ! Pra Duçja paska menduar edhe për njerëzit. Nuk është e vërtetë ! Nuk ishin më tepër se nja tre a katër fshatrat nga kalonte rruga. Fshatrat me dhjetra janë të tëra poshtë, nëpër zgëqe, nëpër lugina.
Në Buz, katër a pesë makina të shkatërruara, nja dy a tre të ndalura. Edhe këtu si kudo, lapidar i zhgarravitur që lexohet me zor; Më 22 qershor 1943 partizanët trima të çetës Verikoll dhe populli patriot i krahinës së Buzit dogjën komunën...dërr-dërr-dërr.
Pronarët e nja tre a katër restoranteve modeste të ftojnë njëherësh të hash.
Mbyll, sytë, bëj nja dy rrathë me sy mbyllur si zar ruleti, dhe futem në njërin prej tyre. Në restorantin ku u futa dhe hëngra uji shërbehet me muslluk. Por ka patate të skuqura, mish, birra, madje dhe bocca di rosa. Tek dal nga restoranti, në rrugë një italian me një makinë të ulët me gruan dhe dy fëmijë brenda, që ka ardhur edhe ai nga Berati dhe që pa e ditur e paskam pasur nga pas, pa dalë nga makina pyet me ngut në Italisht sa kilometra larg është Gjirokastra. I them: “O italiano vero ! L’Albania e’ piccola, non si missura con chilometri, si missura col numero delle meraviglie da un paese al altro”. Qesh dhe ikën italiani. Ishte ndoshta nga të fundit dishepuj të Duçes që erdhi t’i hidhte një sy kalldrëmit që luginën e Vjosës dhe malet përrreth i mbushi me kufoma.
Në të dalë të Buzit rruga kthen djathtas për Tepelenë. S’kam punë më të djathtë ! Duçja, kalldrëmi i tij, kufomat dhe qershitë mbi to vazhdojnë më të majtë.
Qafa e Kiçokut ku janë ndeshur në dimër grekë e italianë duket atje tej. Po ec e arrije. Kthest janë me qindra dhe rruga është e tëra një hukubet me gropa.
Megjithatë pamja është tmerrësisht e bukur. Poshtë në luginë në një liqen malor lahen ca fëmijë që s’kuptohet nga cili fshat mund të kenë ardhur.
Duke iu drejtuar Qafës së Kiçokut, diku në një nga ato kthesa, më bëri vaki’ një çudi. Një ferrë preku pasqyrën e djathtë nga ana e pasagjerit. U dëgjua një kërcitje dhe aq. Kutia që mban xhamin e pasqyrës nuk lëvizi aspak. Një degë ferre a një shkarpë se si ishte futur kishte rrëmbyer dhe hedhur në tokë vetëm xhamin e pasqyrës, pa dëmtuar asgjë tjetër! A di ta thotë njeri, çfarë shenje ishte kjo, si dhe pse mu në Qafën e Kiçokut ndodhi kjo çudi’ ?!
Lapidari tek Qafa e Kiçokut si gjithë lapidarët e ngritur pas luftës. Por pllaka është shkulur ! Prandaj s’mund të lexohet asgjë, kujt i dedikohet dhe pse.
Pak më tutje për qime sa s’u futa gabimisht në një kthesë më të majtë, e cila, si mora vesh më vonë, do të më nxirrte tjetër për tjetër tek Uji i Zi në Skrapar! Por sa duket më punoi nuhatja dhe vazhdova.
Mbi dhjetë kilometra prej aty rruga zbret pjerrtas rrëzë një mali drejt fshatit Ballaban. Në atë tatëpjetë s’ke ç’bën tjetër veçse të mendosh...uhhhhh o Duçe ta djegsha varrin ç’deshe nëpër këto gërxhe ?! Pse o i pa udhë me plot rrugë në vendin tënd, erdhe ndërtove këtë rrugë - lubi në të paudhën Shqipëri? Si ta mori mendja që u nise për Greqi, kalove nëpër qershi, dhe Greqinë rrahe ta pushtosh duke e sulmuar me divizione me emra femrash ? Pse na e nakatose ëmbëlsinë e qershive me helmin e luftës, a i marrë ? Dhe ja ç’na bëre, dhe ja ku jemi tani; Shqiptarët përpëliten mes rrugësh - litarë që diktatorët lanë sipër varreve. Dhe prandaj shqiptarët nuk para kanë qejf të udhëtojnë nëpër vendin e tyre, ta shohin sa i bukur është, se tmerrohen si kjo 94 kilometra çmenduri shtruar me kalldrëm të zi. Se edhe tjetri që erdhi pas teje si ty bëri. Se ti o i çmendur na le me rrugë ushtarake për të na pushtuar, ai ndërtoi rrugë të ngjashme për t’u mbrojtur nga pushtimet ! Dhe e di si thoshte? Thoshte, nuk na duhen rrugë të gjëra të drejta, sepse armiku i shfrytëzon si aeroporte për të ulur avionët ! Dhe ja tani; Rrugët e tua dhe rrugët e atij, rrugë janë për të qenë, por nëpër ato rrugë me zor kalohet.
Tamam ku mbaron kalldrëmi i Duçes dhe nis asfalti i partisë, një tjetër çudi ! Një Ifa ngarkuar me dru ngjitet përpjetë. Pra nuk i ka marrë drutë lart t’i shpjerë poshtë, por se ku i ka prerë poshtë për t’i ngjitur lart ! Shoferi i IFA-s trembet nga Suzuki që zbret nga mali, se kushedi cilin pyll ka masakruar për të marrë ato dru. Zbres e qetësoj me fjalë të tërthorta.
Prej aty kalldrëm Duçeje s’ka më. Por ka qershi ! Dhe rruga mes luginës së gjelbër bëhet rrugë për njerëz.
Ballabani plot jeshillëk dhe plot njerëz, shtëpi të reja dhe gjithçka. Megjithatë të pezmaton një lloj dekori i trishtë kinse alegro emigrantësh që mburren me makina me targa të huaja që i ngasin me shpejtësi nëpër kthesa.
E njëjta gjë në Sukë.
Tek ura e Dragotit piva ujë të ftohtë dhe u çlodha pak. Deri në hyrje të Tepelenës u mahnita me një pjesë autostrade të re. Pa kalldrëm, pa ushtri, pa mushka, pa topa, autostrada e re. Në Tepelenë, kalaja “e shkretë ish’ bedenat pa njeri, as zjarre sipër kullash, as kuaj, as llambadha mbi xhami, as roje, as shtiza, as emri Ali Pashë (Duçe jo e jo), më nuk kumbon, por heshtje qetësi”. Në qendër të Tepelenës, Pashain e bronxtë, edhe këtë herë si përherë kur kaloj atje, e gjeta dhe e lashë, si gjithmonë e gjej dhe gjithmonë e lë, shtrirë duke thithur nargjile’. Më tej një pyll kishte marrë zjarr. Edhe më tej, përsëri emigrantë me makina të shpejta, vila të reja, kafenera, restorante, kroje anës rrugës, fusha të mbjella, lumë me ujë shumë, male të blertë, fllad i freskët, qiell blu, dhe shumë Shqipëri.

edisonypi@gmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›