Ne, “firmambledhësit”
Prof. Mimoza Hafizi
Ne, firmambledhësit e ndryshimeve statusore që do i paraqiten Kongresit Socialist, jemi një grup anëtarësh të Asamblesë Kombëtare. Dora-dorës, rreth nesh janë bashkuar shumë delegatë kongresi e anëtarë të thjeshtë të Partisë Socialiste. Kemi vendosur t’i kushtojmë disa javë gushti një kauze që na duket e çmuar Bisedojmë orë të gjata me secilin koleg, delegat kongresi, dhe presim me respekt gjykimin për platformën tonë. Parë sy në sy, me të njëjtën brengë, me të njëjtat shqetësime e mendime, kjo s’mund të jetë aspak nxitje sherri mes nesh. Por vetëm shpresë për të reflektuar e ndryshuar. I telefonojmë kolegëve të largët për të marrë konfirmimin. Heshtim të tendosur pas ziles, në pritje të mirëkuptimit njerëzor. Me drojtjen se mos imponojmë, me frikën se mos lëndojmë. Nuk duam kurrsesi të djegim ambiciet a të cenojmë karrierën politike të kujtdo. Nuk mbjellim as urrejtje, as ndarje e as përçarje.
E duam Partinë Socialiste po aq sa “firmëdhënësit” a “mosfirmëdhënësit” dhe nuk pranojmë që energjia jonë të konsiderohet diversion i kundërshtarit politik në kampin socialist, siç u tha para pak ditësh.
Kërkojmë ta tregojmë me gisht plagën e të mos fshihemi pas humbje-mos-humbjes. Jemi të ndërgjegjshëm se praktikat e viteve të fundit kanë mbytur frymën kolegjiale, për shkak të personalizimit në drejtimin e partisë. E dimë që drejtimi vertikal i partisë ka zbehur militantizmin. Mendojmë se shmangia e forumeve në vendimmarrje të rëndësishme ka dëmtuar identitetin socialist dhe solidaritetin tonë gjenetik.
Nuk ofrojmë pare, nuk tjerrim intrigë, nuk kemi pushtet e as nuk ngjallim frikë. Kemi vetëm fjalën e lirë dhe guximin intelektual. Si kredi fillestare-respekti e besimi krijuar në punën e përbashkët disavjeçare. Kemi shkelur fshat e qytet, i njohim njerëzit emër për emër.
Nuk mbajmë në zemër mëri fëmijërore, siç u aludua, porse bartim mbi supet tona vite të tëra karriere të gjatë profesionale, ku jemi zot të plotfuqishëm të vetvetes. Jemi shkrimtarë, shkencëtarë, inxhinierë, ekonomistë, juristë, diplomatë, filozofë, psikologë e specialistë të shquar në ndërtim e prodhim.
Tentojmë të dalim nga trishtimi dhe çoroditja e humbjes. Duam ta shohim të vërtetën në sy. Dimë që periudha paszgjedhore është koha më e çmuar për të nxjerrë mësime, se më pas shumë gjëra do harrohen. Të kërkosh fillimisht arsyet tek vetja-ky është aksioni i parë i një force politike moderne dhe axhenda më emergjente e saj. Se, në fund të fundit, edhe detyra madhore e instalimit të një sistemi zgjedhor normal në Shqipëri kalon nga Partia Socialiste. Dhunuesit e mëdhenj të zgjedhjeve nuk ndodhen në sallën e Kongresit Socialist. Vështirë edhe për ca kohë të gjendet ndonjë vesh që dëgjon nga krahu tjetër politik.
Nuk duam të përfitojmë karrierë të pandershme nëpërmjet faktorizimit. Më pak idealistë e më shumë pragmatistë, si mekanizëm më të lehtë do përdornim servilizmin e konformizmin. Por insistojmë në platformën tonë se angazhimi i gjithsecilit në punën e partisë meriton karrierë politike serioze graduale, e cila të mos jetë viktimë e rastësisë apo brutalitetit cinik të një çasti.
Jemi të hapur e transparentë. Platforma jonë është bërë publike në të gjitha organet e shtypit, ku sigurisht njoftimi i parë i është nisur organit të partisë sonë. Thirrja publike drejtuar gjithë anëtarëve të Kongresit socialist është përpjekje krejt legjitime dhe brenda të gjitha rregullave partiake. Sepse besojmë që një e ardhme e Partisë Socialiste nuk kalon nëpër shkelje a keqinterpretime statuti, por në respektim normash që i kemi vendosur bashkërisht.
Motoja jonë është një parti moderne. Besojmë se mund t’ia dalim vetëm duke i kthyer fuqinë forumeve dhe kësaj mase mijëra anëtarësh të Partisë Socialiste. Për t’i dhënë gjithsecilit mundësinë e vet, kërkojmë të zotërojë mendimi i lirë, debati e larmia. E dimë se kjo betejë nuk është vetëm për Partinë Socialiste, por për të gjithë shoqërinë shqiptare që pret shumë nga organizimi ynë politik. Mendojmë për të fituar betejat e ardhshme elektorale.
Gëzohemi pas çdo pohimi mbështetjeje, mërzitemi pas çdo mohimi. Kërkojmë të na ndjekin sa më shumë njerëz, ndonëse e dimë që forca jonë s’qëndron te numri, por tek e drejta. Jemi koshientë për ndeshjen e pabarabartë në këto momente. Dikush tha: Davidi dhe Goliathi! Simbolike sigurisht, por një ndeshje që ciklohet shekuj pas shekujsh dhe e ka sjellë njerëzimin në këtë mijëvjeçar. Ku çuditërisht gjithmonë fiton Davidi!
* Shefe e Departamentit të Fizikës, Universiteti i Tiranës