E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Malaj: Çfarë bisedova me Nanon e Blushin për kreun e PS

 

Alfred Peza

Kandidati për kreun e PS-së Arben Malaj gjatë emisionit “Ora e debatit” me gazetarin Alfred Peza në Ora “News” sqaroi kushtet për të qenë në garë qoftë dhe me Edi Ramën përballë. Sipas tij, gara nuk duhet të deformohet.
 Malaj i kërkoi Ramës dhe mbështetësve të tij të mos deformojnë rezolutën e Asamblesë për qëndrimin ndaj zgjedhjeve dhe futjes në Kuvend. Malaj u shpreh i hapur për lejimin e fraksioneve nëse merr kreun e PS-së.  
Pse ju kryetar dhe jo ndonjë tjetër?
Gara ime për kryetar nuk është për të krijuar vështirësi në PS. Sepse kam përgjegjësi për t’i marrë mbi veten. Kam menduar që forcat tona politike duhet të kenë garë brenda tyre e më pas të kërkojmë garë në të gjithë politikën tonë. Asnjë kosto nuk kishte mes garës së Klinton dhe Obamës, apo Papandreut dhe Venizellos. Pjesëmarrja ime në garë fton dhe nuk përjashton.
Ka zëra që ju jeni futur nga Gramoz Ruçi për t’ia bërë më të lehtë Ramës rimarrjen e postit më lehtë nga ana e Ramës?
Kam një angazhim politik që në ‘92, angazhimi im nuk është mbështetur nga Gramoz Ruçi apo ndonjë tjetër, mbështetësit e mi më të mirë kanë qenë profesorët e mi, elektorati dhe kam gjetur aleatë mediat. 
Sa kuptim ka gara kur rikandidon dhe zoti Rama dhe përse ju garoni, sa reale do të jetë gara në Kongres kur ju thoni se Rama nuk krijon këtë klimë gare?
Ju mendoni se më mirë është të ketë një garë apo të mos ketë gara fare? Politika ka hipokrizinë e saj, por debati im me Ramën nuk është hedhja poshtë e arritjeve në Bashkinë e Tiranës, unë po kërkoj që ai të mos cenojë kredibilitetin e tij, pasi ka pranuar se do të largohej nëse humbte zgjedhjet. Nuk do doja që ai të humbte kredibilitetin e tij politik.
Në ç’kushte ju do të tërhiqeshit nga gara?
Gara është e tillë deri në kufijtë që nuk deformohet. Ne nuk kemi mundësi tjetër t’i imponohemi përveç debatit dhe garës. Unë nuk mendoj se në PS nuk duhet të ketë garë. Unë shpresoj që zoti Rama të reflektojë, pasi çdo gjë do të ketë kosto për vetë PS në të ardhmen.
Cili ka qenë qëndrimi i zotit Nano dhe Blushi për këtë garë?
Edhe ata që janë mbështetës të zotit Rama kanë vlerësuar angazhimin tim dhe të zotit Blushi për këtë garë. Unë nuk jam takuar vetëm me zotin Nano. Biseda jonë është përqendruar në situatën në PS pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Nuk kemi folur me Nanon nëse ai do më mbështesë apo jo mua në garë, por rreth opsioneve më të mira në këtë situatë për të gjetur hapat konkrete që kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe sa më pak pasoja. Unë jam politikan dhe nuk përbën lajm takimi mes dy politikanëve apo deputetëve; jam takuar dhe me Meidanin dhe me Ruçin. Unë do të vlërsoja çdo mbështetje jo vetëm të zotit Nano në garën time, por dhe të çdo socialisti të thjeshtë.
A është Rama një lider?
Është një test shumë i madh për Ramën dhe PS që të dalë nga kjo garë dhe të hapë garën. Për mua Rama është në testin për të qenë një lider. Me veprimet e fundit Rama është duke humbur edhe atë kapital politik që ka krijuar këto vite, duke parë intervistën e dhënë pak ditë më parë, apo dhe përpjekjet për të nxitur forumet ta kërkojnë atë të qëndrojë me çdo kusht në krye të PS-së. Problemi më i madh i Ramës është ajo që thonë filozofët francezë që thonë se “Zot më ruaj nga miqtë, sepse nga armiqtë ruhem vetë”. Ramën po e dëmtojnë miqtë e tij.
Si konsideroni deklaratën e zotit Rama se nuk do të diskutohen ndryshimet statusore në kongresin e jashtëzakonshme?
Shpresoj shumë jo vetëm tek Rama por dhe tek Ruçi, Dokle, Leskaj, Meksi që të pengojnë hapjen e partisë dhe nuk duhet të nxjerrin jashtë rendit të ditës propozimin e firmosur nga një numër i madh delegatësh për ndryshimet statusore. Po shikojmë nëse do të keqpërdoret apo jo rezoluta e asamblesë kombëtare që ka të bëjë me qëndrimin ndaj zgjedhjeve, nëse do të kërkohet bojkot i kuvendit, kjo do të përkeqësojë marrëdhëniet në PS. Nëse kongresi do të bëhet i mbyllur për mediat si edhe asambleja kombëtare, kjo do të përkeqësojë dhe do të rëndojë transparencën që vazhdimisht ka pasur PS. Një lider evropian dhe modern nuk duhet të ketë frikë nga debati publik në forumet e saj dhe jashtë saj.
A do të lejoni fraksionet në PS nëse merrni kreun e partisë?
Ka mbështetës të kësaj teze dhe kundërshtarë të saj. Unë mendoj se për të mbajtur të bashkuar partinë duhen lejuar fraksionet e proporcionalizuara në PS, ku grupimet që mendojnë ndryshe të kenë dhe përfaqësim në forumet e saj. E rëndësishme është të ekzistojë mendimi ndryshe.

Paketa statusore dhe kongresi në qendër të bisedës
Blushi-Malaj, kafe mëngjesin e djeshëm në “Rogner”

Dy oponentët kryesorë të Edi Ramës, Ben Blushi dhe Arben Malaj  kanë konsumuar një kafe pune dje paradite në ambientet e hotel “Rogner” në Tiranë. Malaj dhe Blushi e kanë konsideruar këtë takim nga më normalët, që mund të ketë mes deputetëve socialistë dhe nuk kanë dashur të japin detaje rreth diskutimit mes tyre. Bashkëpunëtorë pranë tyre pohuan për gazetën “Panorama” se në qendër të takimit mes tyre është folur rreth paketës së ndryshimeve statusore, që do t’i paraqiten kongresit të jashtëzakonshëm të 29 gushtit. Mësohet se Malaj ka mirëpritur paketën me këto ndryshime, ndërsa nuk dihet se ç’është biseduar mes tyre rreth hyrjes në garë, në rast se kandidon dhe kryetari aktual i PS-së Edi Rama. Vetëm Arben Malaj ka pranuar publikisht se do të jetë kandidat për kreun e PS-së dhe në rast se Rama rikandidon për këtë post, ndërsa Blushi e ka lënë të hapur kandidimin, me kusht që në PS të ketë garë. Blushi dhe Malaj ishin oponentët e parë të Edi Ramës pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, duke i kërkuar atij të njohë dhe pranojë humbjen e zgjedhjeve nga koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste. Dy ditë më parë, Arben Malaj pati një drekë me ish-kryetarin socialist, Fatos Nano në një nga restorantet e kryeqytetit ku biseda e tyre është përqendruar tek kandidimi i Malajt për kreun e PS-së dhe përgatitjet për kongresin e jashtëzakonshëm. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›