E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkato, Lila qëndron tek Tirana

Burime prane klubit bardheblu bene me dije dje se mbrojtesi i krahut te djathte nuk do te shkoje asgjekund gjate merkatos se janarit

Ditët e fundit, më saktë që nga e diela, në media u fol gjatë për një kalim të Andi Lilës tek skuadra e Dinamos së Zagrebit. Gjithsesi, mbrojtësi i krahut të djathtë, që me paraqitjet e mira që ka zhvilluar në Tiranë, ka fituar një vend titullari në kombëtare, duket se edhe në janar nuk do të shkojë gjëkundi. Një lajm të tillë e pohuan dje burime pranë klubit më të titulluar në Shqipëri. Ekipi 24 herë kampion në mes të këtij sezoni nuk është i gatshëm që të largojë një element cilësor, si mbrojtësi në fjalë. Kujtojmë se skuadra e Tiranës është ende në lojë për të fituar Kupën edhe Kampionatin Shqiptar (Flamurtari i vendit të parë është vetëm 9 pikë larg).

Kuzhe, “ndërmjetësi”

Mbrojtësi i Tiranës, që ende pa u hapur merkatoja ka qenë në qendër të transferimeve nga Kategoria Superiore drejt një kampionati më të rëndësishëm evropian, shansin për të veshur një fanellë të një klubi të rëndësishëm evropian do ta ketë në verë, atëherë kur do të hapet merkatoja “e vërtetë”. Kavajasi ka një sponsor të veçantë: trajnerin e kombëtares, Josip Kuzhe. Që prej emërimit në krye të stolit kuqezi, tekniku 57-vjeçar nuk e ka fshehur asnjëherë faktin se Lila është një prej të preferuarve të tij. Kuzhe e cilëson kavajasin si një element të rëndësishëm të ekipit përfaqësues. Pasi ka kaluar me sukses testimin në miqësoret me Irlandën e Veriut dhe Malin e Zi, tashmë 24-vjeçari ka fituar një fanellë titullari në kombëtare. Në fakt, ai është aktivizuar si titullar në tri prej katër sfidave eliminatore të Shqipërisë në Euro 2012, kundër Rumanisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Bjellorusisë. Në të gjitha këto sfida, Lila ka qëndruar në fushë gjatë gjithë 90-minutëshit, ndërsa në takimin me Luksemburgun, ai u aktivizua vetëm si zëvendësues, për shkak të zgjedhjeve taktike që impononin një skuadër mjaft sulmuese.

Kontrata me Tiranën

Kushte më të lehta për transferimin e Lilës jashtë Shqipërisë i ofron edhe kontrata e lojtarit me Tiranën (i afruar te bardheblutë në qershor të vitit 2008), e cila skadon në fund të këtij sezoni.

Jo vetëm Dinamo e Zagrebit

Deri më tani, për mbrojtësin ishin interesuar Hajduku i Splitit, skuadër kroate ku militon edhe Ervin Bulku dhe moldavët e Sherif Tiraspolit (skuadra që eliminoi Dinamon nga Liga e Kampioneve). Gjithsesi, alternativa më e mirë duket pikërisht Dinamo e Zagrebit, skuadra më e njohur kroate e që kryeson kampionatin në këtë sezon. 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›