E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëbora, MPPT-ja njofton për situatën në akset rrugore

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ka njoftuar sot për situatën e krijuar në disa nga akset rrugore të vendit si pasojë e reshjeve të dëborës të cilat kanë rënë ditët e fundit.

Në një deklaratë për shtyp MPPT-ja thekson se pas punës të bërë gjatë natës qarkullimi i mjeteve kryehet pa probleme në Qaf Mali, Fushë Arrëz e Pukë.

“Në aksin rrugor Qafë Mali - Kukës, në Qaf Shllak, lëvizja e mjeteve kryhet pa probleme. Është punuar gjatë gjithë kohës me mjete borëpastruese dhe kripë e skorje. Në aksin rrugor Kukës - Shishtavec në 10 km e fundit , nga Topojani - Shishtavec ka prezencë akulli, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Punohet vazhdimisht për mbajtjen nën kontroll të situatës” thekson MPPT-ja.
Gjithashtu MPPT-ja njofton se në të gjitha akset rrugore të Rajonit të Korçës janë marrë masat për të siguruar një qarkullim të mjeteve pa probleme duke theksuar se në zona të veçanta vazhdon hedhja e kripës.
Në aksin nacional Bulqizë - Peshkopi, segmenti Qafë Dushk - Qafë Bualli - Ura e Cerenecit, qarkullimi kryhet me zinxhirë për shkak të prezencës së akullit. Segmenti rrugor Qafë Dragalica - Stebleve në aksin Ura e Cerenecit - Stebleve, është bllokuar për shkak të dëborës. Aksi rrugor Peshkopi - Ura e Skurajve qarkullimi kryhet me zinxhirë nga prezenca e akullit në rrugë.
Në aksin rrugor Librazhd - Steblevë qarkullimi kryhet me zinxhirë për shkak të prezencës së akullit. Në aksin Kthesë Labinot Fushë - Monument Bize qarkullimi kryhet me zinxhirë deri në Qafë Renc, ndërsa pjesa tjetër është e bllokuar për shkak të rreshjeve të shumta të dëborës. Po punohet për normalizimin e situatës.

Ndërkohë MPPT-ja thekson se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale Rrugore si dhe me firmat e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve janë në gadishmëri të plotë dhe po punojnë në terren me mjete borëpastruese, fadroma si dhe duke përdorur kripë dhe skorje për normalizimin e gjendjes.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›