DW: Romët shqiptarë azilkërkues në BE. Rritja do ndikojë integrimin
Bruksel- Në një kohë kur Komisioni Evropain ka nxjerrë në raportin e tij të fundit se Shqipëria ka arritur një rekord azikërkuesish për pesë vende të Shengenit, gati në 74%, romët dhe ata që janë përfshirë në gjakmarrje përbëjnë numrin më madh të azilkërkuesve.
Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, EMA, thotë se vendet që përballen me kërkesat në rritje për azil janë të detyruara që të bëjnë presion për të bërë pezullim në afat të caktuar të regjimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve nga vendet problematike të rajonit.
Sipas tij, në rastet e kërkesave për azil që jepet si shkak tek autoritetet e vendeve pritëse gjakmarrja, ka dhe spekullime dhe abuzime nga persona që lëshojnë dokumente të rreme.
Sipas ekspertëve të integrimit, shkaqet për rritjen e fluksit të azilantëve nga Shqipëria, lidhen më shumë me problemet ekonomike. Dokumentat zyrtare thonë se bëhet fjalë për grupe të margjinalizuara, siç janë përfaqësuesit e komunitetit rom. Aktualisht Shqipëria është ndër vendet e para në rritjen e azilkërkuesve.
Veç Gjermanisë, Suedisë, Belgjikës, Zvicrës dhe Luksenburgut, kërkesa azili janë regjistruar së fundi dhe në Francë, apo në shtetet jashtë Schengen-it si në Britaninë e Madhe e Irlandë. Me ndryshimet ligjore për të cilat ka dakordësi mes Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave është futur elementi i pezullimit të përkohshëm të lëvizjes pa viza, në një procedurë më të shkurtuar dhe fleksibël, thotë Gjipali për DW.
“Ky procedim bëhet tashmë më me lehtësi nga vende të caktuara të zonës Schengen për ato vende që përbëjnë problem. Shqipëria menjëherë duhet të adresojë problemet e ngritura nga Komisioni Europian, për të evituar precedentin negativ. Më herët ka pasur precedentë të tillë në procesin e integrimit europian të vendit, siç është rasti i marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, objektiv të cilin prej katër vitesh ende nuk e kemi përmubushur. Evitimi i precedentit negativ për pezullimin e përkohshëm të regjimit të vizave për zonën Schengen është dhe çështje e imazhit të Shqipërisë përballë vendimarrjes së çdo shteti anetar në etapat e integrimit,- tha ai.
Sipas burimeve të Komisionit në një kohë që trendi i kërkesave për azil nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia është në rënie, për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën kërkesat janë në rritje.
Për ekspertët kjo situatë do të ketë ndikim të drejtëpërdrejtë dhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, shkruan DeutscheWelle.