E Diel, 1 Nëntor 2026

Dabishevci me ambulancë, por pa mjek e teknik

Dabishevci, Hajkobilla e Gllogovica, fshatra në malësi të Prishtinës, kanë një ambulancë të përbashkët, por aty nuk mund të kryejnë shërbimet shëndetësore. Objekti ka mbetur gati kot, pasi mjeku i caktuar aty vjen një herë në javë, të enjteve, dhe sipas banorëve të këtyre fshatrave, orarin e punës prej tetë orësh e kryen shpejt e shpejt, për një orë, dhe kthehet nga ka ardhur.

E përveç hallit se mjeku nuk po e zbaton orarin, banorët kanë edhe hallin se kjo ambulancë qe katër vjet nuk ka as teknik medicinal, andaj banorët e kësaj ane as injeksionet nuk kane ku t’i marrin.

Zyrtarë nga Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës shprehen të habitur dhe thonë se nuk janë në dijeni për shqetësimet që i paskan banorët. Ejup Hyseni, kryetar i Bashkësisë Lokale që përfshin tri katundet e përmendura, thotë se vështirësia numër një, me të cilën ballafaqohen banorët e kësaj ane, është mungesa e mjekut dhe teknikut, shkruan gazeta “Zëri”.

“Afërsisht 80 shtëpi janë në këto tri fshatra, ndërkaq këtë qendër e kanë frekuentuar edhe banorë nga fshatrat tjera si Prapashticë dhe Zajqevc”, thotë ai. Hyseni nuk e ka vetëm hallin e mjekut që rri në punë vetëm një orë, por e ka hallin se kjo ambulancë qe katër vjet nuk ka fare teknik i cili është madje i domosdoshëm , ndoshta edhe më shumë se mjeku. Ai tregon se para dhe pas luftës shërbimi mjekësor në këtë fshat ishte ndryshe.

“Më herët ka pasur mjek dy herë në javë, ndërkaq deri para katër vjetësh ka pasur edhe teknik dhe ai ka qëndruar gjatë tërë kohës”, thotë ai. E në mungesë të mjekut dhe teknikut , banorët e këtyre fshatrave, për çdo nevojë shëndetësore, ia mësyjnë Prishtinës që është 34 kilometra larg.

Më së keqi e pësojnë ata me kushte të vështira ekonomike, që nuk kanë vetura.
Lidhur me këto shqetësime, kryetari i Bashkësisë Lokale thotë se disa herë i është drejtuar Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, por asnjëra nga to nuk u ka bërë ndonjë zgjidhje.

Lidhur me këtë, Valbon Krasniqi, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë, shprehet i habitur kur thotë se nuk është e mundur që kjo qendër të mos ketë teknik.

“Tekniku është i obliguar të qëndrojë në Qendër. Nëse ka pak banorë në atë fshat, qëndron dy apo tre ditë në javë por nëse ka më shumë banorë është i obliguar të qëndrojë gjatë tërë ditëve të punës”, tha ai , duke shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për mjekun.

Ai mohoi edhe atë që thoshin fshatarët se në ambulancën në Dabishevc mjeku punon vetëm një orë në ditë. “Jo, jo,kjo nuk mund të ndodhë. Do ta vërtetojmë dhe nëse kjo është e vërtetë, do të merren masa ndaj atij punëtori” thotë Krasniqi duke pranuar se, megjithatë, në fshatrat e largëta ka vështirësi të monitorimit. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›