Pritet reformimi i Fakultetit të Edukimit konform Kurrikulës së re

Ministria e Arsimit ka marrë vendim për reformimin e Fakultetit të Edukimit konform Kurrikulës së re, për përgatitjen e mësimdhënësve. Ky vendim është një nga prioritetet e Universitetit të Prishtinës.
Rektori Ibrahim Gashi, tha për Radio Kosovën se janë duke u bërë përgatitjet, në mënyrë që viti i ardhshëm akademik të fillojë me programe të reja në Fakultetin e Edukimit.
Nga viti i ardhshëm akademik, Fakultetit të Edukimit nuk do të ofrojë më programe lëndore për nivelin e studimeve bachelor, por vetëm programet parafillorë dhe atë fillorë. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, tha për Radio Kosovën, se Fakulteti i Edukimit do të përgatisë vetëm mësues për institucionet parafillorë dhe mësues deri në klasën e pestë.
Ndërkohë, të gjitha profilet e tjera të mësimdhënësve për nivelet më të larta të arsimit, do të përgatiten në fakultetet bazë në nivelin bachelor.
“Nuk do të ketë më programe të fizikës, kimisë, biologjisë, edukatës qytetare, historisë, etj në Fakultetin e Edukimit, krejt do të kthehen në fakultetet bazë. Pas tre vjet studimesh në këto fakultetet bazë, studentët që dëshirojnë të punojnë si mësimdhënës, do të marrin një master në Fakultetin e Edukimit, ku më pas kur të përfundojnë do të mund të bëhen mësimdhënës të lëndës përkatëse, që kanë studiuar në nivelin bachelor”, theksoi ai.
Vendimi i Ministrisë për reformimin e Fakultetit të Edukimit do të fillojë së zbatuari në vitin e ardhshëm akademik. Ministria e Arsimit ka dhënë një afat, që deri në fund të marsit të hartohen plan programet dhe mësimi të fillojë më 1 tetor, sipas programeve të reja. Por, Gashi, tha se do të kërkojnë që të shtyhet ky afat, pasi është një punë që kërkon më shumë kohë.
“Ndoshta do të kërkojmë me u shty pak kjo koha, jo e fillimit, por e dorëzimit të plan programeve për akreditim, sepse ka shumë punë, preken edhe ato programe të akredituara të fakulteteve ekzistuese, duhet edhe një herë të ri kthehen për tu përgatitur për akreditim sipas versionit të ri”, theksoi ai.
Kjo reformë nuk do të prekë vetëm Fakultetin e Edukimit, por edhe fakultetet e tjera, tha Gashi. Ai tha se këto reforma do të vendosin në rrugë të mbarë procesin e përgatitjes së mësimdhënësve në Kosovë për nivelet para universitare./Indeksonline/