E Diel, 1 Nëntor 2026

Daçiq: Miqtë nga Lindja nuk na ndihmojnë

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi sot se ka insistuar në vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës deri më 2 prill, në mënyrë që Serbia të mos shpallet sërish fajtore për dështimin eventual të bisedimeve, pasi që përfaqësuesja e lartë e BE-së Catherine Ashton dëshironte të shpallte përfundimin e bisedimeve më 20 mars.

Duke vendosur kurorë në përmendoren e ushtarëve të vrarë nga bombardimet e NATO-s, Daçiq tha se Serbia apelon që të arrihet zgjidhje kompromisi dhe se ka bëtë gjithçka që kjo të arrihet. Sipas tij, bashkësia e komunave serbe, të cilën e propozon Beogradi, duhet të ketë më shumë sesa vetëm autorizime protokollare dhe shtoi se është vështirë të arrihet marrëveshja deri më 2 prill “nëse oferta nuk përmirësohet”.

Po ashtu kryeministri serb tha se Serbia dëshiron të hyjë në BE dhe të marrë datën e fillimit të negociatave me Unionin, por nga ana tjetër dëshiron të ndryshojë pozitën gjeopolitike dhe gjeostrategjike, e cila nuk është e lehtë, pasi “nuk kemi kujt t’i drejtohemi për të na mbështetur”, transmeton agjencia e lajmeve Fonet.

“Miqtë tonë në anën tjetër të botës nuk kanë ndikim në BE-në dhe janë shumë larg për të bërë me ta farë planesh për hyrje në një union tjetër nga ky i BE-së”, theksoi Daçiq.

Sipas fjalëve të tij, në kushtet kur Serbia është e rrethuar me BE-në dhe NATO-n, “kur nuk ka miq në këtë anë të botës, duhet mirë t’i masim forcat tona dhe politikën reale që duhet udhëhequr në periudhën e ardhshme”./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›